I plagosuri në Vranjevc dyshohet për tentim vrasjen e qershorit në “Large Bar” – ka të kaluar kriminale

Mbrëmjen e së martës janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, ku kanë mbetur të plagosur dy persona. Për motive akoma të panjohura, nga një veturë është gjuajtur në drejtim të viktimave, njëri prej të cilëve dyshohet se iu kundërpërgjigj palës tjetër, duke gjuajtur në drejtim të tyre. Sinjali raportoi se Leutrim Krasniqi po hetohet po ashtu si i dyshuar për rastin dhe tashmë ndaj tij është lëshuar urdhër për ndalim policor.  

Emri i tij është i njohur për organet e rendit, për shkak të të kaluarës së tij kriminale, të pasur me plot vepra penale.

Çka dihet për rastin e mbrëmshëm?

Sipas informacioneve të para, nga një veturë në lëvizje kanë gjuajtur disa herë në drejtim të Krasniqit dhe viktimës tjetër dhe më pas kanë arritur të ikin.

Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore është zbuluar se edhe Krasniqi e ka përdorur armën dhe ka shtënë me të në drejtim të të dyshuarve të tjerë.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur mbi 20 gëzhoja, që janë sekuestruar bashkë më armën e të dyshuarit Krasniqi.

Kush është Leutrim Krasniqi?

Leutrim Krasniqi është një 27-vjeçar, i cili edhe më parë ka qenë i arrestuar e ndaluar, si pasojë e veprave në të cilat është përfshirë, e madje ka qëndruar edhe në burg për një kohë. 

Ndër rastet e fundit është incidenti që ndodhi në kafeterinë “Large Bar” në Prishtinë, në qershor të këtij viti, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga Krasniqi kishte mbetur i plagosur 33-vjeçari, Meriton Pajaziti.

Krasniqi kishte qëndruar në arrati për dy muaj me radhë dhe më pas në muajin gusht është dorëzuar në Polici. I njëjti ka qenë në kërkim, por njësitë policorë nuk kanë arritur ta arrestojnë derisa ai vendosi të paraqitet vetë. 

I riu që dyshohet edhe për raste të tjera, të kësaj natyre, është hetuar për veprat penale “Lëndim i rëndë trupore”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Më poshtë gjeni detajet e rastit të qershorit.