IDF-ja thotë se kjo është dita më e keqe në historinë izraelite – luftëtarët e Hamasit vazhdojnë të kalojnë kufirin

Lufta tashmë ka hyrë në ditën e tretë dhe Izraeli po godet pa ndalim Rripin e rrethuar të Gazës – pasi i shpalli zyrtarisht luftë grupit të armatosur palestinez Hamas.

Ushtria izraelite tha se rreth 100 mijë trupa rezervë janë grumbulluar pranë kufirit me Gazën, një ditë pas sulmit të befasishëm të Hamasit.

Ajo e cilësoi ditën e dytë të sulmit si më të keqen në histori.

Udhëheqësit e Hamasit thanë se ishin të përgatitur për përshkallëzim të mëtejshëm.

Luftimet e ashpra po vazhdojnë midis personave të armatosur të Hamasit dhe trupave izraelite në të paktën tre zona në jug të Izraelit.

Këto përfshijnë Kibbutz në Karmia dhe në qytetet e Ashkelon dhe Sderot.

Numri i fundit i vdekjeve është 436 palestinezë, sipas zyrtarëve shëndetësorë, dhe më shumë se 700 izraelitë, sipas raporteve të mediave.

Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se më shumë se 400 palestinezë janë vrarë dhe 2,300 janë plagosur që nga e shtuna.

Hamasi tha se po mban më shumë se 100 persona të burgosur brenda Gazës.

Nga ana tjetër e dërguara speciale amerikane për antisemitizëm, Deborah Lipstadt, ndër studiueset më të njohura të Holokaustit në botë, i quajti sulmet e Hamasit “sulmin më vdekjeprurës kundër hebrenjve që nga Holokausti”.

Lipstadt tha se nuk ka “asnjë justifikim” për “terrorizmin e urryer, barbar kundër civilëve izraelitë” dhe vrasjet masive.

Mbledhja e KS-së
Gjatë natës anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u takuan për një seancë urgjente me dyer të mbyllura, por nuk arritën të bien dakord për një deklaratë të përbashkët mbi përshkallëzimin e dhunës në Gaza dhe Izrael.

Irani ndërkohë ka mohuar çdo përfshirje në ofensivën tokësore, detare dhe ajrore të Hamasit.

Sulmi i befasishëm i Hamasit erdhi pasi kolonët izraelitë sulmuan Xhaminë Al-Aksa ditët e fundit dhe një numër rekord palestinezësh u vranë nga Izraeli në muajt e fundit.

Shërbimi izraelit i shpëtimit Zaka tha se mjekët e tij kanë nxjerrë rreth 260 trupa nga një festival muzikor që u sulmua nga Hamasi.

Videot e postuara në internet treguan pjesëmarrësit e festivalit duke vrapuar furishëm dhe duke u futur në makina pas sulmeve.

Anëtarë të shumtë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së denoncuan Hamasin, por Shtetet e Bashkuara shprehën keqardhje për mungesën e unanimitet.

Në një seancë urgjente, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kërkuan dënim të ashpër të islamistëve palestinezë.

Ndërkaq është zbuluar se Irani ndihmoi Hamasin të planifikonte sulmet e tij të befasishme kundër Izraelit gjatë fundjavës.

Detajet e operacionit u rafinuan gjatë disa takimeve në Bejrut ku morën pjesë oficerë të IRGC-së dhe përfaqësues të katër grupeve militante të mbështetura nga Irani, duke përfshirë Hamasin, i cili mban pushtetin në Gaza, dhe Hezbollahun.

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken ka thënë megjithatë se Washingtoni nuk kishte parë asnjë provë që Irani qëndronte pas sulmit.

Po ashtu është konfirmuar se të paktën tre qytetarë amerikanë janë vrarë.

Çfarë ndodhi?
Militantët e Hamasit hynë në territorin izraelit mëngjesin e 7 tetorit, pas një shiu të vërtetë raketash hedhur mbi shtetin hebre – rreth 7 mijë siç pretendohet nga drejtuesit e grupimit terrorist.

Pamjet bënë menjëherë xhiron e rrjetit dhe u vu re se ishte një mësymje e plotë në rajonet jugore.

Video të personave të vrarë qarkullonin kudo në platformat online.

Grupimi terrorist Hamas mori menjëherë përgjegjësinë e plotë mbi zhvillimet. Operacioni i tyre ishte i qartë: rimarrja e kontrollit në Xhaminë Al-Aqsa dhe operacioni u quajt “Al-Aqsa Flood”.