Në mesin e këtyre postimeve janë edhe ai në rrjetin social Twitter, nën emrin e Farida Khan, e cila pretendonte se ishte gazetare e “Al Jazeeras”. Ajo kishte raportuar se “raketa e Hamasit ka rënë në spitalin e Gazës”. “Al Jazeera” menjëherë ka njoftuar lexuesit e vet se llogaria e gazetares nuk ka asnjë lidhje me shërbimin e lajmeve. Ajo nuk ishte e punësuar në “Al Jazeera”
Në Lindjen e Mesme po zhvillohet edhe një konflikt përveç atij në terren: Konflikti në internet. Që prej fillimit të konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit janë shpërndarë lajme të rreme ose gjysmë të vërteta, duke tensionuar edhe më shumë situatën.
Lufta mes Izraelit dhe Hamasit po përshkallëzohet, teksa vala e keqinformimit ka rrezikuar kthimin e konfliktit në luftë të mjegullt në internet. Shpërthimi në spitalin e Gazës, që ka lënë qindra të vrarë të martën, është epiqendër e aktivitetit në internet, teksa të dyja palët po bëjnë përpjekje që historia e tyre është e vërteta dhe hedhin dyshime te historia e tjetrës. Agjencia e lajmeve “Reuters” ka identifikuar një numër të madh të postimeve në rrjetet sociale, duke përdorur fotografi dhe informacion të rrejshëm për konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit. Disa postime të tjera kanë krijuar huti sesa keqinformim të qëllimshëm për ta tensionuar edhe më shumë konfliktin.
Në mesin e këtyre postimeve janë edhe ai në rrjetin social Twitter, nën emrin e Farida Khan, e cila pretendonte se ishte gazetare e “Al Jazeeras”. Ajo kishte raportuar se “raketa e Hamasit ka rënë në spitalin e Gazës”. “Al Jazeera” menjëherë ka njoftuar lexuesit e vet se llogaria e gazetares nuk ka asnjë lidhje me shërbimin e lajmeve. Ajo nuk ishte e punësuar në “Al Jazeera”.
Pak ditë më herët ishte publikuar një video e presidentit rus, Vladimir Putin, duke folur për Ukrainën gjatë vitit të kaluar. Por në titra dukej sikur Putini po paralajmëronte SHBA-në që të mos ndërhynte në konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit. Në periudhën e publikimit të fotografive të trupave të të vrarëve nga Hamasi, më 7 tetor, është publikuar edhe një video e vitit 2015 të një vajze 16-vjeçare nga Guatemala teksa prezantohej si e vrarë nga palestinezët. Tensionet mund të kenë pasoja përtej qyteteve izraelite dhe territoreve të Gazës. Franca ka ashpërsuar sigurinë pasi një profesor u ther nga një person. Ministria e Punëve të Brendshme ka thënë se therja me thikë ka lidhje me konfliktin në Lindjen e Mesme.
Në konfliktet moderne, në mbarë botën, si dhe në Lindjen e Mesme, palët ndërluftuese kanë përdorur prej kohësh televizionin – dhe së fundmi internetin – për të fituar luftën për zemrat dhe mendjet, si dhe luftën në terren, duke përzier shpesh të vërtetën me trillimin. Disa llogari nëpër rrjete sociale janë të përfshira në përhapjen e gënjeshtrave që kanë për cak palestinezët dhe vendet e Lindjes së Mesme që perceptohen si vende pro-palestineze. Shumë të tjera janë kundër palestinezëve. Në këto llogari janë bërë postime kinse palestinezët po shtiren si të lënduar dhe të vrarë dhe se janë aktorë të krizave.