Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përfunduar takimin me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Bashkimit Evropian.
Sipas disa mediave, takimi ka zgjatur më shumë se 30 minuta, ndërsa nuk janë dhënë detaje, pasi që edhe Kurti i është shmangur deklaratave për mediat.
Më pas liderët evropianë zhvilluan takimin edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka përfunduar pa dhënien e deklaratave për media.
I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosov-Serbi, Miroslav Lajçak para fillimit të takimeve ka folur ekskluzivisht për Kanal10 dhe gazetarin Kushtrim Sadiku duke thënë se nuk negociojnë në mënyrën “merre ose lëre”.
Ai foli rreth pritshmërive të tij lidhur me takimin e sotëm në Bruksel duke thënë se Lajçak tha se ka pritje të larta.
“Kam pritje të larta, të vazhdojmë përpara. Ne nuk negociojmë më mënyrën “Merre ose lëre, kjo duhet të jetë pajtim mes dy palëve në të cilën jemi duke iu ndihmuar”, deklaroi Lajçak për Kanal10. Këto takime po zhvillohen në margjina të një samiti të BE-së në Bruksel.
Kurti dhe Vuçiq u priten veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni. Në takime ishin të pranishëm edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, si dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se ndonjë takim mes Kurtit dhe Vuçiqit, tash për tash, nuk është planifikuar. Pas takimeve me Kurtin dhe Vuçiqin pritet një prononcim për media nga zyrtarët e lartë evropianë. (INA)