Statovci: Kosova, ka përjetuar plagë të rënda dhe nuk mund të lejojmë që këto plagë të rëndohen

Raste të natyrave e moshave të ndryshme por me një të përbashkët: dhunë në familje, e viktima është kryesisht gruaja. Kjo dukuri po bëhet gjithnjë e më shqetësuese pikërisht sepse është bërë dukuri. Po jetojmë në kohën e lirisë e të shtetit tonë demokratik por nuk po e gjejmë dot mënyrën se si ta lirojmë mendjen nga prirjet maskuliste, patriarkale. Pra, nuk po e hapim dot mendjen për të qenë shoqëri që beson në të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Dëmet e mëdha që i janë bërë për dekada, sistemit tonë të edukimit, duket se kanë lënë gjurmë të thella në dijen e ndërdijen sociale.

Kërkohet punë e përkushtim i të gjithëve e me të gjitha mjetet për të shëruar këtë ‘defekt shoqëror’, që po shihet qartë se jeton brenda nesh.

Unë jam e bindur se tradita jonë si popull i vjetër, përkushtimi jonë i sinqertë e kurajoz, do të arrijë ta identifikojë e më pas ta luftojë dhunën në bazë gjinore.

Kosova, ka përjetuar plagë të rënda dhe nuk mund të lejojmë që këto plagë të rëndohen, tash kur ne duhet të shfaqim energjinë tonë si shtet i ri.