Gjykata merr vendim për të kërkuarin nga Maqedonia e Veriut për vrasje të rëndë

Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për Krime të Rënda, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.K, i kërkuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.

Masa e paraburgimit u caktua në bazë të urdhërarrestit ndërkombëtar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasja e rëndë.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se kundër të pandehurit është lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar nga Interpoli, me kërkesa të datave 25 korrik 2008 të shtetit të Maqedonisë së Veriut.Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej (40) ditëve.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

/GazetaSinjali/