Pajaziti! BDI në “lucidum intervallum”

BDI në “lucidum intervallum”

Shkruan: Naser Pajaziti

Shumë vite më parë shumë pak kolegë nëpër media mbanim frymën e debatit për shqyrtimin e modeleve të tjera të riformatimit brendaterritorial të Maqedonisë si kantonizim, federalizim apo modele tjera, për shkak të prerjes skandaloze të hartës së komunave, politikanët e pushteti të deridjeshëm, gjegjësisht BDI-së na patën hyp në kokë dhe na quanin të rrezikshëm në koluaret diplomatike por edhe brenda oborrit shtetëror.

“Onie tiranski radikalisti” ishte fjala për ne gazetarët që vinim nga Tirana, ku kishim studjuar.

Atëkohë ekipi i BDI me në krye Musa Xhaferin dhe disa figura tjera bashkë me profesorët e LSDM së Branko Cërvenkovskit kishin nisur të ngulin thikat mbi hartën e Maqedonisë, duke sakatosur shumë territore të vendbanimeve ku gravitonin shqiptarët, e duke formuar komuna qorre jozhvillimore rurale si Likova dhe komuna urbane, pra në Shkup që getoizonin shqiptarët dhë i përçundonin copë copë në disa komuna, duke i shndërruar si element margjinal, pa fuqi dhe pa frymë, e që sot po ja shohim sherrin.

E sot pikërisht kjo parti del dhe shpalos ide të reja të riformatimit territorial tashmë me emrin rajonalizim, e që nënkupton federalizim apo kantonizim.

Ide të tilla ideale dhe kapitale duhej realizuar kur je në pushtet, edhe ate pushtet absolut, jo nga opozita që çfarëdo mund të thuash! Kur je në pushtet, ke fuqinë dhe detyrën për të udhëhequr me iniciativa të forta.

Hysni Shaqiri ishte ndër politikanët e rrallë që kishte proklamuar idenë e federalizimit. Në një intervistë të zhvilluar me të në prill të 2010 për federalizimin, Shaqiri i kishte bërë thirrje Ahmetit që ta shqyrtonte këtë ide: Edhe njëherë e ftojmë Ali Ahmetin dhe të gjithë bllokun politik shqiptar, që të formojmë një Aleancë për Federalizmin e Maqedonisë, meqë çështja kombëtare shqiptare nuk lejon që politikanët verbërisht të besojnë në koncepte politike që tanimë janë të dështuara, por ajo mbrohet vetëm me unifikimin e forcave politike në rrugën e shpëtimit kombëtar”, kishte deklaruar Shaqiri.

Por, derisa shijonin pushtetin frontmenë integristë kategorikisht ishin kundër ideve të reja për ndarje territoriale.

Ali Ahmeti tetë vite më parë në një intervistë për BIRN pati thënë që harrojmë federalizimin e Maqedonisë, sepse ndarja në dy pjesë federale do të ishte tepër problematike, pasi një pjesë e madhe e qytetarëve jetojnë në vendbanimet të përziera etnike.

“Që të diskutojmë për kësi lloj temash, patjetër duhet që ta njihni konfiguracionin, pra gjeografinë e vendit dhe lagjet e saja. Si do ta bëni federalizimin ose konfederatën kur ato dy njësi federale do të kenë kufijj të definuar territorial”, kishte theksuar Ahmeti.

BDI po tregon se 20 vite ka krijuar iluzion të rrejshëm, dhe tani si opozitë mëse e nevojshme është që të përballet me një katarsis dhe reformë të brendshme. Kjo parti tanimë po vuan nga diagnoza e njohur “lucidum intervallum” apo “interval i kthjelltësisë”, që në kontekstin mjekësor përshkruan një periudhë të përkohshme të kthjelltësisë mendore midis periudhave të konfuzionit ose të sëmundjes mendore.