NUK MUND TA NDALNI NJERIUN QË NUK JU KA NEVOJË!

NUK MUND TA NDALNI NJERIUN QË NUK JU KA NEVOJË!

(Një reagim ndaj hipokrizisë së “opozitarizmit të vjetër”)

Nga: Halil Geci
Qytetar, veprimtar dhe rugovist

Si qytetar i Kosovës, ndjej për obligim të flas kur e shoh të vërtetën. Dhe sot, ajo e vërtetë ka një emër: qëndresë. Qëndresë ndaj servilizmit dhe shërbëtorëve të vjetër që e lanë Kosovën pa zë dhe pa mbrojtje për shumë vite.

Të gjithë ata që për vite me radhë e kanë nënçmuar Albin Kurtin — që e kanë etiketuar me ofendime, që e kanë përbuzur si “njeri të vogël” — duhet ta kuptojnë së paku sot një të vërtetë të madhe:
Njeriu që nuk ju shërben juve, nuk do të thotë se nuk i shërben vendit!

E gjithë kjo zhurmë që vjen nga opozuzaret dhe nga klanet që jetojnë në simbiozë me pushtetet e kaluara, nuk është as politikë, as shqetësim për Kosovën. Është panik personal dhe frikë e zhveshur nga çdo interes kombëtar.

Ata që e quanin Kurtin “nënshtrues”, në të vërtetë ndjenin zhgënjim pse ai nuk u bë shërbëtori i radhës — si ata që janë rritur në prehrin e nënshtrimit, që e shohin servilizmin si diplomaci dhe përkuljen si mençuri. Ata donin një njeri që ulet pa fjalë në tavolina të ndyra, që e shet dinjitetin për një vizë, për një “po” nga lart, për një karrige të përkohshme.

Albin Kurti nuk është një politikan perfekt — askush nuk është — por ai është i pakorruptuar, i palëkundur në mbrojtje të integritetit territorial, dhe i pathyeshëm përballë presioneve të brendshme dhe të jashtme.

Dhe pikërisht kjo i shqetëson ata që për vite me radhë kanë funksionuar brenda pazareve politike. Ata që kanë bërë marrëveshje të fshehta me Vuçiqin, Edi Ramën ,Grenellin dhe figurat e dyshimta të prapaskenës nga politikanët e shitur. Ata që kanë firmosur dorëzime të territoreve dhe pasurive kulturore në emër të një “stabiliteti ndërkombëtar”, që kurrë nuk i solli qetësi vendit.

Sepse kur dikush nuk është i shantazhueshëm dhe nuk pranon të negociojë mbi interesat kombëtare, ai bëhet rrezik — jo për vendin, por për ata që kanë jetuar nga pazari.

Pse sot po bën zhurmë opozita?

Jo sepse Kosova është në rrezik, por sepse nuk po gjen dot mënyrën si të justifikohet para qytetarëve për lëshimet e pandershme dhe marrëveshjet e dyshimta që ka nënshkruar ndër vite me Beogradin.

Sa herë që përfaqësuesit e dikurshëm të Kosovës shkonin në bisedime me Vuçiqin, diçka humbej. Territor, dinjitet, e mbi të gjitha—besimi i qytetarëve. Ishin bisedime ku gjithmonë pala jonë dilte më e dobët, më e nënshtruar, dhe më e përkulur.

Vuçiqi nuk e fshihte kënaqësinë. Arrinte të ironizonte duke thënë se “Hashim Thaçi është më politikan i mirë se unë”, ndërsa në të vërtetë e lavdëronte jo për mençuri, por për nënshtrim. Për lehtësinë me të cilën pranohej çdo kërkesë dhe për heshtjen që shoqëronte çdo dorëzim.

Ata që heshtën kur Veriu u nda,
Ata që pranuan krijimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive,

Ata që legalizuen zgjedhjet e referendumet serbe në Kosovë, që i dhanë Serbisë të drejtën me u sjellë si pronar në tokën tonë, sot dalin e flasin për “mbrojtje të sovranitetit”. Këta janë të njejtit që, në heshtje ose me marrëveshje të fshehta, ia kanë dorëzu Kosovën interesave të huaja për me mbajtë pushtetin. E tash, kanë guximin me na mbajtë leksione për patriotizëm. Në gjuhën e popullit, kjo i bjen njësoj si me folë kurva për moral.

Kush janë këta që shesin patriotizëm me fjalë të bukura, ndërsa dje i shtrijnë dorën Beogradit për t’i ofruar çdo gjë?

Ata që ia nënshtruan Kosovën Serbisë dhe ndërkombëtarëve, duke e lënë vendin të tronditet nga presioni dhe poshtërimi. Ata që e panë të arsyeshme të heshtin, ndërkohë që Veriu i Kosovës — pjesë e territorit tonë — kalonte nën ndikimin e Serbisë, pa asnjë reagim të fuqishëm, sot dalin e “pirdhin” patriotizëm dhe e fajësojnë Kurtin për tradhtitë e tyre.

Dhe tani, këta që përpiqen të japin mësime patriotizmi, janë pikërisht ata që e kanë shitur çdo pjesë të Kosovës për interesat e ngushta të pushtetit të tyre. Ata që i jepnin Serbisë mundësinë për të kërcënuar, që e lejuan atë të ushtrojë presion politik dhe ekonomik mbi Kosovën, duke e lënë vendin të përballet me sanksione dhe poshtërime ndërkombëtare. Ata që, pa asnjë fjalë të fortë kundërshtimi, e lanë vendin të zhytet në një rrëmujë diplomacie të dobët dhe pasigurie. Ata kanë emra – emrat e tyre janë: opozuzarët.

Por, te Kurti, ky proces ka marrë një kthesë tjetër.

Ai ka refuzuar të shesë interesat e Kosovës, duke qëndruar i patundur përballë çdo presioni, pa bërë kompromise që do të dëmtonin të ardhmen e vendit. Nuk ka pranuar që të nënshtruarit t’i drejtojnë edhe njëherë këtë vend. Ai ka treguar se patriotizmi nuk është vetëm fjalë, por është vendosmëri në mbrojtjen e sovranitetit, është qëndrim i fortë dhe mbrojtje e interesave kombëtare, pa bërë asnjë lëshim që mund të minonte të ardhmen e Kosovës.

Ku ishin opozuzarët atëherë?

Kur Albin Kurti refuzon ta shesë Kosovën për një premtim të zbrazët në Bruksel, apo për një “selfie” me ndonjë lider ndërkombëtar, ju – opozitarët – e quani “të papjekur”. Kur ai nuk i bindet verbërisht ndërkombëtarëve dhe nuk i nënshtrohet presionit të tyre, ju thoni se po “humb ndihma milionëshe”. Por Albin Kurti nuk e sheh të ardhmen e Kosovës përmes eurove të sotme, nëse këto e kthejnë vendin në një treg pazari politik.

Opozita sot ngre zërin për ndihmat që, sipas tyre, i janë humbur Kosovës nga Evropa. Por le të themi të vërtetën: nëse Kryeministri Kurti do të kishte ndjekur rrugën tuaj, do të kishte pranuar tradhtitë e së kaluarës – marrëveshje që i kushtuan Kosovës pasuri të jashtëzakonshme kombëtare – në këmbim të ndihmave afatshkurtra. Do të fitonte ndoshta disa miliona për gjëra dytësore, por do të humbte miliarda që përfaqëson Veriu i vendit, me pasuritë e tij strategjike si Trepça dhe Ujmani.

Ju ishit ata që e humbët Veriun, që e dorëzuat Trepçën dhe Ujmanin, dhe që shpërdoruat çdo pasuri publike që kishte ky shtet. Ndërkohë, ajo që është parë qartë deri më sot është se Kurti nuk e shet asnjë metër tokë për favore të përkohshme. Dhe për këtë qëndrim, ai gëzon mbështetjen e shumicës së qytetarëve. E quani të papjekur, por qytetarët e shohin si të vendosur dhe të pa korruptueshëm.