DEMOKRACIA ËSHTË ARENA E FJALËS SË LIRË

DEMOKRACIA ËSHTË ARENA E FJALËS SË LIRË

Demokracia është hapësira ku liria e fjalës është vulë përcaktuese për karakterin dhe fuqinë e secilit prej nesh. Edhe kur ekziston mundësia, ajo nuk duhet t’i ndalohet askujt.

Një këshillë për vëllain tim, Ganiun:
Ruaje fjalorin para mediave dhe publikut; asgjë më tepër.

Të nderuar miq, ju që më shkruani në Facebook apo më telefononi, duke më kërkuar që ta ndaloj vëllain tim, Ganun:
Merrini vesh një herë e mirë – askush nuk ka të drejtë t’ia ndalojë lirinë e fjalës, e aq më pak dikujt si Gani, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për atdheun.

Në demokraci, mendimet ndryshe nuk janë armiqësi, por gjallëri e debatit dhe një formë dashurie për vendin. Pikërisht nga dallimet lind shpresa se mund të duam njëri-tjetrin edhe më shumë – duke u dëgjuar, jo duke u mbyllur.

Edhe ata që na dëgjojnë dhe na lexojnë dallojnë vetë se kush flet nga zemra dhe kush nga interesi. Unë dhe të gjithë meshkujt e familjes sonë jemi të palëkundur – asnjë qëndrim politik nuk na largon as për një milimetër nga njëri-tjetri. Vëllain tim, Ganiun, e dua, e çmoj dhe e respektoj thellësisht.

Por, si vëlla më i madh, ndjej përgjegjësi t’i them me dashuri:
Kur flet para publikut, kujdes fjalët dhe ruaje gjuhën.

Familja jonë ndërtohet mbi kulturë, respekt dhe përgjegjësi për çdo fjalë. Nëse dikush nga ne flet keq, e qortojmë në prapaskenë, por publikisht e mbrojmë dhe jemi gati të japim jetën për njëri-tjetrin.

Unë kam qenë dhe mbetem kritik ndaj LDK-së për shumë vjet, sepse e kam parë drejtimin e gabuar. Kur ajo ra në 12%, edhe të tjerët e kuptuan atë që unë dikur dhe sot i paralajmëroja.

Pas rënies së saj dhe mungesës së përgjegjshmërisë së udhëheqjes, fëmijët e mi patën lirinë të zgjedhin partitë që dëshironin – përveç PDK-së dhe Listës Serbe, të cilat i konsideroj të papranueshme. Nëse LDK-ja reflekton dhe kthehet tek vlerat rugoviane, unë do të jem aty. Deri atëherë, mbështes moralisht atë që e meriton – sot, Lista Guxo e Vjosa Osmanit dhe Vetëvendosja jan ata çë e meritojnë.

E përsëris:
Demokracia nuk është kaos, as llomotitje pa përgjegjësi.
Demokracia është arena ku zbulohet karakteri i secilit – dhe askush nuk mund t’i ndalojë fjalën e lirë.

Kur dikujt i jepet mundësia të flasë para publikut, aty shihet kush është me të vërtetë – në fjalë, në mendim dhe në dinjitet.

Mos u shqetësoni për ata që flasin pa menduar. Koha dhe publiku ua caktojnë vendin.
Kush ka dinjitet, qëndron në këmbë; të tjerët bien në baltën që vetë e kanë gatuar.

Ne, si vëllezër, do të mundohemi të ruhemi e të mos biem në baltën e të tjerëve, por të ruajmë gjuhën dhe të mbështesim ata që punojnë mirë për këtë vend.