Faleminderit, Arben Taravari, që na ofendove – edhe neve që të përkrahëm me zemër.

Faleminderit, Arben Taravari, që na ofendove – edhe neve që të përkrahëm me zemër.

Na ofendove rëndë, dhe kjo dhimbje vjen pikërisht sepse mbështetja jonë për ty ishte e sinqertë dhe pa kushte. Kur të përkrahëm, ishim të mirë, por sot, vetëm pse nuk ndajmë më të njëjtin mendim me ty, u bëmë të këqij në sytë e tu.

Të jesh aktivist, deputet, ministër apo zëvendësministër nuk do të thotë që gjithmonë duhet të ecësh në një vijë me mendimin tënd. Secili njeri ka të drejtën e vet të mendojë ndryshe. Ti e ke parë të arsyeshme të largohesh nga qeveria – është e drejta jote. Por pse kjo duhet të shoqërohet me ofendime ndaj atyre që nuk e panë të drejtë të ndjekin rrugën tënde?

Ti je mjek me profesion – dhe madje mjek i trurit. Kjo e bën edhe më të dhimbshme mënyrën se si veprove, sepse një profesionist i tillë pritet të tregojë qetësi, maturi dhe mirëkuptim. Ndoshta, siç e njeh mirë lëmin tënd, e kupton që jo gjithmonë gjithçka funksionon si duhet – as në shëndet, as në politikë, as në marrëdhënie njerëzore.

Megjithatë, të urojmë shëndet. Koha i shëron shumë gjëra. Ndoshta një ditë do ta kuptosh se edhe ata që nuk të ndoqën verbërisht, nuk ishin kundër teje – thjesht kishin mendimin e tyre.