Makineria propagandistike e BDI-së dhe e patericave të saj ka nisur një fushatë të egër kundër personalitetit tim. Përmes profileve të rreme, ata synojnë të njollosin emrin tim me lloj lloj shpifje e gënjeshtra.
Këto sulme të ulëta vetëm sa forcojnë vendosmërinë time për të ecur përpara, duke u ngritur mbi pisllëkun e tyre. Këto sulme janë një shenjë e fuqisë sonë. Ata sulmojnë sepse lëvizja jonë i ka prishur planet e BDI-së dhe të pengjeve të Gjokës.
Në politikë, unë krenohem më së shumti më tre gjëra:
- Për 20 vjet karrierë, unë nuk kam keqpërdorur as edhe një qindarkë të burimeve publike. Duart e mia janë të pastra, ndërgjegjja ime e qetë. Pasuria ime është libër i hapur dhe çdo cent i fituar ndershmërisht.
- Jam i vetmi që kurrë nuk ka pasur kontakt, bashkëpunim apo kompromis me BDI-në dhe me kryetarin e tyre. Kam mbajtur dhe do mbaj një distancë higjienike me ta, sepse afrimi me ta do të thotë të njollosesh nga kalbësia e tyre morale.
- Prandaj edhe askush nuk mund të ndikojë vendimet e mia, të më kushtëzojë apo të më shantazhojë. Varësia ime e vetme është ndaj popullit tonë dhe kombit tonë.
Sulmet e tyre vijnë nga profilet e rreme, sepse askush nuk mund të më përballë me emër dhe mbiemër me akuza reale për ndonjë keqpërdorim apo kompromis me parimet tona kombëtare.
Le të lehin zagarët. Karavani ynë ecën përpara, i pandalshëm, drejt një të ardhmeje ku shqiptarët fuqizohen, jo eksploatohen.