Shkruan: Sevim Ganija
Letër e hapur nga mërgimi
Nga mërgimi i largët, me zemër të rënduar dhe me një pikëllim të thellë, po ju drejtohem ty, Arben Taravari, dhe ty, Rijad Shaqiri.
Unë jam bir i Kumanovës, një qyteti që më njeh mirë dhe ku kam lënë rrënjët e mia. Edhe pse jetoj në Zvicër, shpirti im kurrë nuk është larguar nga vendlindja.
Rinia ime ka qenë e tëra në shërbim të çështjes kombëtare. Kam luftuar për të drejtat e shqiptarëve, për liri dhe barazi. Në vitin 2014 isha ndër themeluesit e LRPDSH-së, duke ia kushtuar jetën time një beteje të pandërprerë kundër padrejtësisë dhe poshtërimit të shqiptarëve.
Edhe nga diaspora, pa asnjë interes personal, kam qenë gjithmonë në shërbim të subjektit politik: kam organizuar, kam mobilizuar, kam thirrur njerëz që të dalin në votime. Në çdo zgjedhje kam kontribuar, sepse besoja se ndryshimi ishte i mundur. Besoja se shqiptarët do të shpëtonin nga politika e korrupsionit, burgosjeve, ikjeve masive dhe padrejtësive që për 23 vite i solli një klikë e vetme politike.
Por, me dhimbje të madhe e them: kurrë nuk e kisha menduar se tradhtia do të vinte nga ju!
Ju, Arben Taravari, dhe ju, Rijad Shaqiri, me një veprim të vetëm e shkelët me këmbë gjithë mundin, djersën dhe sakrificën e aktivistëve. Sa lirë na shitët? Sa kushtoi besimi ynë? A e dini se njerëzit u kërcënuan, u fyen dhe u maltretuan vetëm që ju të hyni në parlament? A e dini se ata nuk votuan për ju, por kundër së keqes? Dhe çfarë bëtë ju? U bashkuat me të keqen!
Ky veprim ka vetëm një emër: TRADHTI.
Tradhtia nuk harrohet dhe nuk falet. Historia do t’ju mbajë mend si shembullin më të zi të politikës shqiptare në Maqedoni. Jo vetëm sa të jeni gjallë, por edhe pas vdekjes, emrat tuaj do të mbesin sinonim i zhgënjimit dhe i poshtërimit të një populli.
Për ju kam vetëm një fjalë: haram qoftë vota jonë, haram qoftë mundi ynë, haram qoftë çdo fjalë e mirë që është thënë për ju.
Prej sot, në historinë politike të shqiptarëve në Maqedoni, ju do të mbeteni simbol i TRADHTISË.