KËRÇOVA E FITOI LIDERIN E RI MES SHQIPTARËVE !

GRANIT OSMANI: KËRÇOVA E FITOI LIDERIN E RI MES SHQIPTARËVE !

Këto zgjedhje lokale ishin një test për vetëdijen politike të shqiptarëve në Kërçovë. Dhe ajo çfarë ndodhi është e qartë: qyteti u lodh nga improvizimet, nga riciklimet politike, nga arroganca dhe nga një udhëheqje që për tri mandate e mbajti peng dinjitetin e njerëzve.
Në këtë terren të rëndë Fatmir Beqir Limani ishte i vetmi që guxoi të përballej me strukturën, me betonin e vjetër të politikës, dhe ta sfidojë me moral, me ide dhe me guxim personal.
Fatmirin e njoh prej vitesh. Ai nuk është prej atyre që kërkojnë poste, por prej atyre që marrin përgjegjësi. Kur shumëkush do të kishte zgjedhur rehatinë e karriges ministrore, ai zgjodhi rrugën e vështirë, rrugën që të çon në mesin e njerëzve, në zemër të qytetit.
Në çdo fjalë të tij, në çdo takim, Fatmir Beqir Limani mbolli frymë bashkimi mes shqiptarëve. Nuk u ushqye me përçarje, nuk u mor me fjalë boshe, por ndërtoi ura vëllazërie. Ai e kuptoi se Kërçova nuk mund të ecë përpara me akuza, me ndasi, me “ne” e “ata”. Ai foli për një “ne” të përbashkët, për një Kërçovë që bashkon dhe jo që ndan.

Fitorja e tij, nëse do të kishte ndodhur me mbështetjen e të gjithë shqiptarëve, do të kishte shënuar fillimin e një epoke të re; epokë të bashkëpunimit, të qetësisë ndëretnike dhe të ringritjes qytetare.
Sot, kur ai që komandoi Kërçovën për tre mandate është rrëzuar moralisht e politikisht, shqiptarët e këtij qyteti janë pa busullë, pa prijës e pa zë.
Ali Ahmeti, i cili zgjodhi të injorojë realitetin, të injorojë kërkesën për ndryshim dhe mbrojti një figurë të konsumuar që Kërçova e refuzoi me heshtje, por me vendosmëri, po i humb atributet e liderit të Kërçovës. Për më shumë ai thotë se merret me problemet e të gjithë shqiptarve, ndërsa Kërçova ka nevojë për dikë që jeton e frymon me të, që e ndjen çdo zhgënjim, çdo humbje, çdo shpresë. Dhe sot, ai njeri quhet Fatmir Beqir Limani.
Ndaj sot në tavolinën e negociatave me faktorin maqedonas, nuk duhen përfaqësues të përkulur. Duhet dikush që e di ç’është nderi, që nuk shet simbolet për post, që nuk përdor kombin si mburojë për paaftësinë. Duhet lidership. Nëse Fatmir Beqir Limani garanton arritjet etnike në këto 24 vjet dhe përmbush premtimet e tij, për zhvillim atëherë ai është lideri i ri i shqiptarëve në komunë.

Historia e tij personale e familjare, është garanci pse ai e meriton këtë titull!