117 vjet më parë, në Manastir, u mbyllën punimet e Kongresit të Alfabetit, një nga tri shtyllat e identitetit tonë kombëtar. Aty rilindësit tanë, me urtësi dhe vizion, vendosën themelet e gjuhës shqipe të standardizuar, duke hapur rrugën e arsimit, kulturës dhe vetëdijes sonë moderne kombëtare.
Sot, këtë ditë të shenjtë, e shënuam me një akademi solemne të organizuar në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, institucion që sot feston 18-vjetorin e themelimit të tij.
U hap gjithashtu ekspozita “Kongresi dhe Shtypshkronja”, një homazh i veçantë për Shtypshkronjën “Bashkimi i Kombit” dhe për delegatët e Kongresit të Manastirit – vatrën ku panë dritën e botimit gazetat, revistat dhe librat e parë në alfabetin e njësuar. Falë koleksionistit dhe studiuesit Niko Kotherja, para nesh u paraqitën botime të rralla që janë pasuri e çmuar e kujtesës sonë kombëtare.
Instituti i Trashëgimisë, i konceptuar nga ideologu dhe mendimtari i madh Arbën Xhaferi, po vazhdon të forcohet si një qendër referente e studimeve shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Gjuha shqipe, kultura dhe identiteti ynë do të mbrohen, kultivohen dhe lartësohen, me dinjitet, për çdo brez.