Kurti për vdekjen e Behar Topillës: Do të mbetet një nga dëshmitë më të fuqishme të të mbijetuarve nga masakrat serbe

Behar Topilla, i vetmi i mbijetuar i masakrës së Shavarinave në Çikatovë të Vjetër të Drenasit, ka ndërruar jetë në moshën 45-vjeçare në Suedi, ku jetonte. Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke e përshkruar si një humbje të madhe për kujtesën historike të vendit, raporton Gazeta Sinjali.

Ai kujtoi rrethanat tragjike të masakrës: gjatë pranverës së vitit 1999, forcat serbe sulmuan dhjetëra fshatra në Drenas dhe Skenderaj, duke detyruar banorët të braktisnin shtëpitë e tyre dhe të strehoheshin në male e zona të thella.

Kurti u shpreh se vdekja e Topillës është “thellësisht pikëlluese”, duke kujtuar se ai kishte shpëtuar nga plumbat e forcave serbe para 26 vitesh dhe tani largohet nga jeta pas një sëmundjeje.

Postimi i plotë:

Thellësisht pikëlluese të kuptoj që ka vdekur Behar Topilla, i vetmi i mbijetuar i masakrës së kryer nga forcat armike serbe te vendi Shavarinat në Çikatovë të Vjetër të Drenasit. Një njeri që 26 vite më parë e kishte patur fatin të shpëtonte nga plumbat e forcave serbe, vdiq sot nga një sëmundje, në moshën 45 vjeçare, në Suedi ku jetonte.

Më 30 prill të vitit 1999, forcat serbe filluan të shtinin me artileri në drejtim të dhjetëra fshatrave të Drenasit dhe Skenderajt. Mijëra njerëz i braktisën shtëpitë e tyre duke kërkuar strehim gjithandej dhe duke u zhvendosur drejt malesh e zonash më të thella. Pasi i dëbuan nga shtëpitë e tyre, forcat okupatore serbe nisën t’i gjurmonin të zhvendosurit kudo që ishin strehuar.Kështu në mesditën e 1 prillit 1999, njësite ushtarake serbe e morën një grup prej 176 personash që ishin strehuar në xhaminë e fshatit Qirez. Ndër ta ishte edhe Behar Topilla, i cili bashkë me dhjetëra të tjerë, mes torturash dhe dhunës fizike, përfundoi në radhë për t’u pushkatuar nga ushtarët serbë, pranë një grope te Shavarinat afër minierës së Feronikelit. Rrugës, atë e kishin plagosur duke e shpuar në krahë dhe duar me goditje me thikë.I zënë poshtë trupave të mbi 40 të vrarëve, Behari u shpëtoi plumbave dhe më pas ciflave të bombave. Rrëfimi i Behar Topillës, i regjistruar dhe i përshkruar disa herë, do të mbetet një nga dëshmitë më të fuqishme të të mbijetuarve të drejtpërdrejtë të masakrave të kryera nga forcat serbe, gjatë spastrimit etnik të Kosovës nga shqiptarët dhe gjenocidit të kryer ndaj tyre.

Ngushëllime familjes Topilla dhe miqve të Beharit si dhe atyre që e kanë njohur.

Behar Topilla, u kujtoftë gjithmonë mes nesh bashkë me historinë dhe rrëfimet e tij!

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/