VLEN një parti, kryetari me mandat njëvjeçar dhe rotacion të plotë të udhëheqjes?

TV21 e ka parë draft-planin se si parashihet që Koalicioni VLEN të shndërrohet në një parti të vetme politike me emrin Unioni Demokratik Shqiptar VLEN, e cila do të regjistrohet si organizatë politike në Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sipas dokumentit, ky emër tashmë ekziston si opsion juridik dhe parashihet ose themelimi i një partie të re me këtë emër, ose ndryshimi i emrit të njërës prej partive ekzistuese në VLEN.

Sipas orientimit politik, VLEN do të pozicionohet në qendrën e djathtë, ndërsa ideologjikisht do të bazohet në parimet konservatore, me theks në kombin, familjen tradicionale dhe trashëgiminë kulturore. Në aspektin strategjik, partia përcakton qartë orientimin e saj pro-perëndimor, duke theksuar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, si dhe mbështetjen e boshtit strategjik Ankara–Sofje–Shkup–Tiranë.Dokumenti të cilin e pa TV21 parashikon një strukturë të detajuar organizative. Organi më i lartë do të jetë Kongresi, i përbërë nga 500 anëtarë, ku katër partitë themeluese do të kenë nga 150 delegatë secila, ndërsa VV dhe Arbëria nga 50 delegatë. Kongresi do të ketë kompetencë për zgjedhjen e Presidencës dhe të Këshillit të Përgjithshëm.