Kurti viziton familjen Brahimi në veri të Mitrovicës në 25 vjetorin e vrasjas së Gazmend Brahimit
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot 25-vjetorin e vrasjes së Gazmend Brahimit, një prej plagëve më të rënda të pasluftës në Mitrovicë, që vazhdon të dëshmojë për dhunën, vuajtjen dhe sakrificën e familjeve shqiptare të rikthyera në vendlindje.
Kurti ka rikujtuar historinë tragjike të familjes Brahimi, e cila, sikurse shumë familje të tjera shqiptare të shpërngulura gjatë luftës, u kthye në Kosovë për ta gjetur shtëpinë e rrënuar. Por, ndryshe nga shpresa për liri dhe qetësi, familja nuk e gjeti paqen. Çlirimi, siç thekson Kurti, ishte vonuar në Mitrovicë, përcjell Mitropol.
“Para tij, erdhi martiri i vonshëm, Gazmend Brahimi, 15-vjeçar”, ka shkruar Kurti, duke theksuar se 25 vjet më parë, Gazmendi u vra nga shpërthimi i një granate dore, e hedhur në drejtim të tij nga banda kriminale serbe, të cilat në atë kohë terrorizonin përditë shqiptarët e rikthyer në pronat e tyre.
Gazmendi, që e donte shumë lagjen e tij të fëmijërisë, Lagjen e Boshnjakëve, ishte nisur atë ditë për në shkollë, për të nxënë dije. Me të ishte edhe vëllai i tij, Armendi, i cili edhe sot mban në trup 17 copëza të granatës. Një mëngjes i zakonshëm shkolle u shndërrua në një tragjedi që do të shënonte përgjithmonë jetën e familjes dhe kujtesën kolektive të qytetit.
Në 25-vjetorin e rënies së tij, kryeministri në detyrë ka vizituar vendin ku u vra Gazmendi, rrugën që sot mban emrin e tij, si dhe familjen Brahimi – babanë Agimin, nënën Salë dhe vëllain Armendin. Gazmendi, që sivjet do të mbushte 40 vjeç, sipas Kurtit, “jeton te secili që e ka njohur”.
“Kujtimi për të na rikujton vuajtjen, sakrificën dhe çmimin e lirisë. Përvjetori i rënies së tij na përkujton përgjegjësinë, dashurinë dhe shërbimin ndaj vendit”, ka përfunduar Kurti në mesazhin e tij.
Ngjarja e 25 viteve më parë mbetet një dëshmi e dhimbshme e pasigurisë dhe dhunës që mbizotëronte në Mitrovicë edhe pas përfundimit të luftës, si dhe një thirrje e vazhdueshme për drejtësi, kujtesë dhe respekt ndaj jetëve të humbura në emër të lirisë./Mitropol/