ZVKM Arben Fetai:Po pyesin pse po merreni me “BDI”, kur ju jeni në qeveri.

Po pyesin pse po merreni me “BDI”, kur ju jeni në qeveri.

E para, nuk merremi me BDI sepse realisht kemi plot punë të mira që i komunikojmë me opinionin. Më e reja, 40 për qind rritje e pagës në administratë nga muaji mars e tutje. Por një gjë duhet ta dimë të gjithë, BDI nuk është parti normale. Pra, kemi të bëjmë me një parti që plot 20 vjet ka sunduar mbi fatin e shqiptarëve në këtë vend. Tekstualisht ka sunduar, nuk ka qeverisur, ndërkaq uni për pushtet ua ka pushtuar arsyen.

E dyta, nuk kemi të bëjmë me një parti që e pranon realitetin. Ata jetojnë në një botë të cilën vetë e kanë krijuar, për shkak të jetëgjatësisë në pushtet, se vetëm ata janë “mbrojtësit e shqiptarisë”. Ndërsa ne të gjithë e dimë se “bedeli” i Ali Ahmetit nuk është në listë të zezë për shqiptari, por për hajni.

E treta, ata refuzojnë ta kuptojnë fjalën “reformë”. Kanë problem me këtë fjalë. Dhe këtë pjesë nuk e themi se na intereson, por për sqarim të opinionit ndaj pyetjes që e shtrojnë, pse VLEN po merret me BDI.

E vërteta është se, për shkak të një pushteti 20-vjeçar që pas vetes ka lënë një grumbull problemesh të pazgjidhura, na ka rënë në hise neve që, një nga një, t’i hapim dosjet dhe, sa të mundemi, t’i zgjidhim.

A ka sfida? Sigurisht që ka.
A ka probleme? Sigurisht që ka.

Mirëpo VLEN nuk është BDI, që e pati humbur kontaktin me realitetin aq sa në vitin 2014, me 152 mijë vota, deshën luanin ta bëjnë simbol të shqiptarëve, sepse ashtu ishte marrë vesh Aliu me Gruevskin.