FALËNDERIM PËR MIKËPRITJEN NË KRYEGJYSHATËN BOTËRORE BEKTASHIANE SELIA E SHENJTË
Vizita ime në Kryegjyshata Botërore Bektashiane në Tiranë ishte një përjetim i veçantë shpirtëror, kulturor dhe historik. Mirënjohje të veçantë shpreh për mikpritjen e ngrohtë dhe bujarinë e Baba “Mondit”, i cili me përkushtim të rrallë më mundësoi të vizitoj ambientet e teqesë, muzeun dhe faltoren, duke më shoqëruar me shpjegime të hollësishme mbi historikun e besimit bektashian nga fillesat e tij e deri në ditët e sotme.
Në këtë vatër të rëndësishme shpirtërore e kombëtare, njeriu e kupton qartë se bektashizmi ka luajtur rolin e shtyllës së fortë të identitetit dhe ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Nuk është rastësi që çdo veprimtari në manifestet bektashiane nis me intonimin e Himni Kombëtar, duke dëshmuar lidhjen e pandashme mes besimit dhe dashurisë për atdheun.
Në muret dhe kujtesën e kësaj teqeje qëndrojnë të gjalla figurat që kanë ndriçuar historinë tonë: nga heroizmi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu, te vizioni dhe fuqia e Ali Pashë Tepelenës, nga akti themeltar i shtetit shqiptar i Ismail Qemalit, deri te mendimi dhe drita e Naim Frashërit, Sami Frashërit dhe Abdyl Frashërit. Këto figura dëshmojnë se rruga bektashiane ka qenë gjithmonë e lidhur me lirinë, diturinë dhe identitetin kombëtar.
Kjo vizitë më rikujtoi se teqetë bektashiane kanë qenë ndër shekuj jo vetëm faltore shpirtërore, por edhe vatra të mendimit të lirë, të kulturës dhe të mbrojtjes së çështjes kombëtare shqiptare.
Edhe një herë, falënderim i përzemërt për mikpritjen dhe për mundësinë për të prekur nga afër këtë trashëgimi të çmuar shpirtërore, historike dhe kulturore.
Me respekt dhe mirënjohje.
F. B. L.