Arben Fetai: Pas rrugës “Ismail Qemajli”, New York-u inauguron edhe rrugën “Isa Boletini”
New York-u tashmë ka edhe rrugën “Isa Boletini” në Staten Island, një hap historik për diasporën dhe figurat që simbolizojnë qëndresën shqiptare. Në inaugurimin e rrugës mori pjesë edhe Zëvendës Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, i cili vlerësoi kontributin e mërgatës shqiptare në SHBA.
Fetai theksoi se pas rrugës së parë të quajtur sipas një personaliteti shqiptar në SHBA, “Ismail Qemajli”, tashmë qyteti nderon edhe heroin kombëtar Isa Boletini, simbol të guximit, atdhedashurisë dhe përpjekjes për liri.
Ai shprehu mirënjohje për drejtuesit dhe aktivistët shqiptarë në New York, të cilët ndër vite kanë punuar që figurat historike shqiptare të marrin vendin e merituar në hapësirat publike të SHBA-së. Sipas Fetait, ky është një moment krenarie jo vetëm për diasporën, por për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë.
“Inaugurimi i kësaj rruge është një mesazh i fortë për nderimin e historisë sonë dhe për lidhjet e qëndrueshme mes shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara,” u shpreh ai.
Me këtë hap, Staten Island bëhet zona e dytë në New York që mban emrin e një figure madhore shqiptare, duke forcuar edhe më tej prezencën kulturore të shqiptarëve në SHBA.