Në kuadër të Paris Cyber Summit, ministri Lulëzon Jagxhiu mori pjesë në një sesion strategjik të mbyllur të udhëhequr nga James Appathurai, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Përgjithshëm i NATO për Inovacionin, Kërcënimet Hibride dhe Sigurinë Kibernetike.
Sesioni, i organizuar me pjesëmarrjen e një numri të kufizuar vendimmarrësish, politikëbërësish dhe ekspertësh të sigurisë kibernetike nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, u fokusua në rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të reziliencës kibernetike në sigurinë kombëtare, mbrojtjen kolektive dhe qëndrueshmërinë e shteteve përballë sfidave të reja të sigurisë.
Gjatë diskutimeve u trajtuan evoluimi i kërcënimeve hibride, mbrojtja e infrastrukturës kritike, ndikimi i inteligjencës artificiale në siguri dhe mbrojtje, si dhe nevoja për bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet institucioneve shtetërore, aleatëve dhe sektorit privat.
Ministri Jagxhiu theksoi synimin e Kosovës për anëtarësim sa më të shpejtë në NATO, duke vlerësuar se ky hap do të kontribuonte drejtpërdrejt në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë që Kosova të ketë qasje në mekanizmat e NATO dhe Bashkimi Evropian në fushën e sigurisë kibernetike edhe para anëtarësimit të plotë. Sipas tij, forcimi i kapaciteteve kombëtare dhe thellimi i bashkëpunimit me partnerët euroatlantikë mbeten prioritete strategjike për mbrojtjen e institucioneve, infrastrukturës kritike dhe qytetarëve në një mjedis gjithnjë e më kompleks të sigurisë.