Këta janë personat e arrestuar në Shkup dhe Gërçec, grupi ishte i lidhur me zyrtarë të disa institucioneve

Ministria e Brendshme ka dhënë detaje lidhur me aksionin e zhvilluar sot në disa lokacione në Shkup dhe periferi të Shkupit. 

Ministri i këtij dikasteri theksoi se arrestimet janë kryer në disa lagje të Shkupit dhe Gërçec. Ai tha se janë arrestuar 16 veta, si pjesë e një grupi ndërkombëtar kriminal, për të cilët të premten në Prokurorinë Publike Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit do të parashtrohen edhe kallëzime penale.

Ata ngarkohen për veprat penale “Prodhim i paautorizuar i drogave narkotike”, “vrasje” dhe “tentativë për vrasje” – bëri të ditur Spasovski.

“Deri te Prokuroria do të parashtrohet kallëzim penal kundër 16 personave – Sh.M. (46), D.I.(50), F.B.(45). B.A.(44), R.S.(41), S.A.(44), M.Ç.(27), S.S.(36), Sh.A.(27), Sh.B.(20), N.I.(44), E.I.(25), F.S.(43), Sh.S.(40), M.D.(41) dhe O.B.(42)”, tha Spasovski.

Ministri Spasovski shtoi se persona nga disa institucione shtetërore, duke përfshirë edhe MPB-në, kanë bashkëpunuar me grupin kriminal të drogës që tashmë është asgjësuar.

Sipas tij, është vërtetuar se cilët janë personat dhe nuk vijnë vetëm nga MPB-ja, por disa janë edhe nga ministri të tjera, gjykata, zyra publike, etj.

“Kemi identifikuar persona nga institucionet shtetërore që kanë transmetuar të dhënat, pra kanë qenë bashkëpunëtorë në aktivitetet kriminale të grupit. Ky është fillimi i pastrimit të strukturave kriminale në sistem dhe forcimi i besimit te qytetarët. Në periudhën e ardhshme do të jeni dëshmitarë të aktiviteteve të reja, ndonjëherë do të habiteni nga emrat, por drejtësia duhet t’i arrijë të gjithë. Janë të përfshira në shumë institucione, si në Ministrinë e Brendshme ashtu edhe në agjenci të tjera dhe në ministri dhe në gjykata e në zyra publike… Prandaj thashë, mund të habiteni në periudhën e ardhshme”, theksoi Spasovski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pasi paraprakisht kishte informuar se grupi kriminal i drogës numëronte 16 persona, shtatë prej të cilëve tashmë janë arrestuar dhe pjesa tjetër do të privohet nga liria.

Spasovski thekson se lufta kundër krimit nuk është çështje e pozitës apo opozitës, e LSDM-së, e BDI-së apo e VMRO-DPMNE-së dhe pavarësisht nga qeveria teknike, siç tha ai, kolegët e tij nga MPB-ja do të vazhdojnë të punojnë intensivisht në asgjësimin e krimit dhe zbardhjen e çdo rasti.(INA)