E DIELA DHE LIBRI I ZOTIT

E DIELA DHE LIBRI I ZOTIT

Çdo ditë është e bekuar për të lexuar Librin e Zotit, por edhe e diela.
Ju sugjeroj Sure Jusuf (12:1-111), një prej tregimeve më të plota për durimin, drejtësinë dhe triumfin e së mirës.

Jusufi, biri i profetit Jakub, njihej që fëmijë për pastërtinë dhe urtësinë e tij. Ai pa një ëndërr ku dielli, hëna dhe njëmbëdhjetë yje i përuleshin, shenjë e së ardhmes së tij madhështore.

Xhelozia e vëllezërve për dashurinë që babai kishte ndaj Tij, i çoi ata në një komplot: e hodhën në pus dhe e lanë në mëshirën e fatit.
Një karvan udhëtarësh e gjeti dhe e shiti si skllav në Egjipt, ku Jusufi u dallua shpejt për bukurinë, moralin dhe ndershmërinë e tij. Megjithatë, shpifja e gruas së zotërisë e çoi në burg, ku përsëri shkëlqeu me urtësinë e interpretimeve të ëndrrave.

Kur mbreti e thirri për t’i shpjeguar një ëndërr të vështirë, Jusufi parashikoi shtatë vjet bollëk e më pas shtatë vjet urie. Falë urtësisë së Tij, u lirua dhe u caktua përgjegjës për furnizimet e vendit, duke shpëtuar Egjiptin nga kriza.

Pas shumë vitesh, në Egjipt erdhën vëllezërit e Tij, në kërkim ndihme, pa e ditur se cili është. Jusufi i njohu, por nuk u hakmor. Kur ata e kuptuan kush ishte, i’u gjunjëzuan dhe kërkuan falje.
Ai tha:

  • “Sot nuk ka qortim për ju. Zoti ju faltë, Ai është më i mëshirshmi.”

Më në fund u ribashkua me babain e tij, Jakubin, dhe u përmbush ëndrra e fëmijërisë: shenja e nderit, drejtësisë dhe mirësisë që ngadhënjejnë mbi zili, padrejtësi e pabesi.
Përshkova edhe një gur mulliri, pas të cilit vjen shpërndarja e miellit te familjet bujare që më përkrahin ndër vite…

F. B. L.