Kandidati për anëtar të KGjK-së, Hyseni: Ka pasur anëtarë që gojëmbyllur kanë hyrë dhe gojë mbyllur kanë përfunduar mandatin

Kandidati për anëtar të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Bashkim Hyseni, me rastin e paraqitjes së vizionit të tij para gjyqtarëve të Gjykatës Supreme dhe atyre të Dhomës së Posaçme, tha se KGjK, në përbërjen e saj nga viti 2021, ka pasur anëtarë që “gojë mbyllur kanë hyrë dhe gojë mbyllur kanë përfunduar mandatin” në Këshill.

“Centralizimin e konsiderojmë se nuk është metodë e duhur për qeverisjen e gjyqësorit, për arsye se përqendron tërë pushtetin në duart e një pakice të vetme, e cila frikësohet nga liria kur vendimet mbyllen në një zyrë dhe vendosen nga një individ apo një pakicë e vetme. Ka pasur anëtarë që gojë mbyllur kanë hyrë dhe gojë mbyllur kanë përfunduar mandatin në KGjK”, tha Hyseni, raporton “Betimi për Drejtësi”.Sot nuk jemi këtu për të folur fjalë të bukura, por të vërteta. Ne mendojmë se qasja themelore që ka pasur KGjK gjatë këtyre pesë viteve – centralizimi i skajshëm – ka qenë një nga deficitet kryesore, i cili ka bërë që gjyqësori, në fakt, të mos jetë i suksesshëm.

Centralizimin e konsiderojmë se nuk është metodë e duhur për qeverisjen e gjyqësorit, për arsye se përqendron tërë pushtetin në duart e një pakice të vetme, e cila frikësohet nga liria kur vendimet mbyllen në një zyrë dhe vendosen nga një individ apo një pakicë e vetme.

Prandaj, ne mendojmë se centralizimi nuk u shërben qytetarëve, nuk i shërben drejtësisë dhe as vetë ligjit.

Po të vështrosh sistemet gjyqësore në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vështirë se mund të gjesh një gjendje të tillë. SHBA-të kanë mbi 340 milionë banorë dhe nuk kanë këshilla gjyqësore; funksionojnë me gjykata vetëqeverisëse dhe me gjykata që administrohen vetë. Prandaj, një sistem gjyqësor pa autonomi është si një anije që fundoset. Drejtësia nuk është urdhër, nuk mund të jetë vetëm burokraci, por kërkon kurajo, mendim të pavarur dhe sakrificë.

Prandaj, mendoj personalisht se një qasje e tillë rrezikon vetë themelet e drejtësisë. Konsideroj se duhet t’i themi mjaft drejtësisë së komanduar, jo këshillave që sundojnë gjykatat dhe jo një meritokracie që nuk është reale.

Jam dhe do të punoj për gjykata autonome. Sot, gjykatat më shumë duken si njësi administrative apo si divizione të SKGjK-së. Me një farë mënyre ka ndodhur ajo që do ta quaja proces i “ombrellizimit” të gjykatave nga një autoritet administrativ, dhe kjo nuk është në rregull. Pa autonomi nuk ka meritokraci, pa meritokraci nuk ka drejtësi, e pa drejtësi nuk ka as shtet të së drejtës.

Ky është momenti për të ndërtuar meritokracinë e vërtetë, sepse meritokracia nuk forcohet me zinxhirë, por me autonomi dhe përgjegjësi. Gjykatave u janë marrë kompetencat, edhe pse me ligj i kanë pasur. Kam qenë pjesë e reformës së vitit 2013 dhe më herët; ligji për gjykatat dhe ligji për KGjK-në kanë qenë të mbështetur nga Departamenti i Shtetit Amerikan dhe synimi i tyre ka qenë që gjykatat të fuqizohen e jo të dobësohen. Kjo ka funksionuar deri në vitin 2021. Me ardhjen e përbërjes së vitit 2021 ka ndodhur një proces i rikthimit të tërësishëm të kompetencave në KGjK, pa u ndryshuar asnjë dispozitë ligjore, që do të thotë se ka ndodhur në mënyrë arbitrare dhe në kundërshtim me ligjin.

KGjK ka zhveshur gjykatat nga përgjegjësitë. Sot kemi gjykata inerte, të pafuqishme, dhe kryetarë joautoritarë, që nuk e kanë as autoritetin e administratorëve të dikurshëm.

KGjK, mendoj se gjatë këtyre viteve e ka humbur kolegjialitetin. Ka pasur propozime nga kryesuesi apo ndonjë anëtar, por asnjëherë nuk kemi pasur diskutime thelbësore, gjë që është për të ardhur keq. KGjK duhet të përbëhet nga gjyqtarë të elitarizuar, me mendim autentik dhe burimor, me propozime të tyre, e jo të jenë vetëm makineri votuese, sepse kjo nuk i kontribuon zhvillimit dhe avancimit të gjyqësorit.Më duhet ta them për korrektësi: ka pasur anëtarë që gojë mbyllur kanë hyrë dhe gojë mbyllur kanë përfunduar mandatin. Shtroj pyetjen: a kemi nevojë për anëtarë të tillë në Këshillin Gjyqësor?

Unë KGjK-në e konsideroj si forum ku të gjithë gjyqtarët, të të gjitha niveleve, duhet të kenë të drejtë të bëjnë propozime, të japin ide dhe kontributin e tyre, dhe që këto ide e alternativa të merren seriozisht nga KGjK, sepse vetëm kështu i gjithë komuniteti i gjyqtarëve bëhet pjesëmarrës në qeverisjen e gjyqësorit.

Mendoj se sistemi gjyqësor është i censuruar dhe në historikun e tij nuk ka pasur censurë më të fortë se sa tani. Mendimet e gjyqtarëve janë bunkerizuar dhe pa alternativë, gjë që është për të ardhur keq në shekullin XXI. Nëse një gjyqtar shpreh mendim kritik, ai konsiderohet heretik. Historia na mëson se heretikët në mesjetë janë persekutuar për mosbindje ndaj doktrinave zyrtare. Sot, nëse KGjK dëgjon për një mendim kritik, gjyqtari demonizohet, margjinalizohet dhe stigmatizohet. Ju rikujtoj se GjEDNj-ja e njeh të drejtën e gjyqtarëve për të shprehur mendim kritik, pasi drejtësia është proces dhe çështje e administrimit publik.

Gjatë këtyre pesë viteve nuk ka pasur asnjë projekt madhor autentik të KGjK-së. Projektet kryesore kanë qenë të donatorëve: SMIL i Mbretërisë Norvegjeze, Evidenca Penale e Këshillit të Evropës, audio-incizimi i Departamentit të Shtetit Amerikan. Projekt që KGjK ta ketë iniciuar, zhvilluar dhe realizuar vetë, nuk kam parë.Koncentrimi absolut i kompetencave në KGjK e ka shndërruar këtë organ administrativ de facto në autoritetin më të lartë të sistemit gjyqësor, ndonëse sipas Kushtetutës ky autoritet është Gjykata Supreme. Kompetencat janë përqendruar në atë masë sa absolutizmi do t’i kishte lakmi edhe monarkitë mesjetare. Kjo shihet edhe në raportimin e kryetarëve të gjykatave në KGjK, përfshirë Kryetarin e Gjykatës Supreme, i cili nuk ka obligim kushtetues apo ligjor për të raportuar.

Gjyqtarëve u janë dërguar edhe forma se si të vendosin, që përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në pavarësinë e gjykatave. Sa e rëndësishme është pavarësia nga jashtë, po aq e rëndësishme është pavarësia nga brenda.

Meritokracia do të jetë premisa themelore e funksionimit të KGjK-së. Meritokracia do të thotë se ti e meriton sepse je i aftë, ndërsa jo meritokracia do të thotë se e meriton sepse je i afërt me dikë. Sot, meritokracia është shndërruar në nocion letargjik dhe ka mbetur në letër; do të punojmë që ta ringjallim.

Sa i përket Dhomës së Posaçme, sipas platformës sonë ajo duhet të transformohet dhe të integrohet në Gjykatën Supreme. Gjyqtarët do të integrohen si të barabartë me të tjerët. Shuarja nuk është opsion. Ju keni mbi dy dekada përvojë profesionale dhe duhet të konsideroheni aset i Gjykatës Supreme.Ju e dini se opsioni i establishmentit aktual ka qenë shuarja, e propozuar nga Gjykata Supreme dhe KGjK. Me vite jeni denigruar, nënçmuar dhe konsideruar si gjyqtarë të dorës së dytë, gjë që ka prekur dinjitetin tuaj. Sot keni dy alternativa: integrimin në Gjykatën Supreme si gjyqtarë të barabartë, ose kthimin në gjykatat e shkallës së parë dhe pjesërisht në Apel, sipas qasjes së vjetër.

E pranojmë se kemi vendime më pak cilësore sesa Gjykata Kushtetuese dhe kjo status quo duhet të ndryshojë. Cilësia e vendimeve të gjykatave të rregullta duhet të avancohet. Ne do të dërgojmë në Gjykatën e Strasburgut dhe në Luksemburg gjyqtarë për specializime mbi baza tremujore dhe gjashtëmujore, për arsye se këto gjykata ofrojnë programe për vende si Kosova, vendet e Ballkanit dhe vendet e Evropës Juglindore.

Ajo që nevojitet është vetëm aktivizmi gjyqësor. Po ashtu, do të nënshkruajmë memorandume mirëkuptimi me Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Do të dërgojmë bashkëpunëtorë që do të trajnohen në praktikën e Strasburgut dhe më pas rikthimi i tyre do të jetë i dobishëm për ndryshimin e jurisprudencës dhe praktikës sonë.

Nga ajo që zgjedh të bëj, dua t’ju kujtoj një thënie të filozofit Sartre: “Ne jetojmë në atë që zgjedhim të jetojmë.” Prandaj, është në dorën tuaj të vendosni për këtë, ndërmjet dilemës morale të të jetuarit indiferent dhe të të jetuarit drejt. Ndërgjegjja e gjyqtarëve, mendoj, na përcakton të zgjedhim këtë të dytën.

Prandaj, unë mendoj se duhet t’i themi jo skenarit të vazhdimit të establishmentit aktual. Kanë qeverisur për pesë vite dhe i kemi parë se ku kanë arritur. Nuk e kontestoj që kanë qenë më dinamikë se këshillat e tjerë, por rezultatet e tyre kanë qenë minimale.

Për shkak të modestisë sime njerëzore, nuk kam asgjë kundër kandidatëve; përkundrazi, i respektoj maksimalisht. Por mendoj se ata nuk do të mund të bëjnë ndryshime strukturore rrënjësore në sistemin gjyqësor.

Jam i bindur se edhe optimistët më të mëdhenj këtu e kanë këtë bindje. Dhe një gjë dua ta them mjaft hapur: gjyqësori do të ballafaqohet me sfida që nga pranvera e hershme dhe, nëse mendojmë se këto sfida do të kalohen pa ndryshim, kjo më duket si ajo barka e vjetër e peshkatarëve që përpiqet ta kalojë Oqeanin Atlantik me lopata – stuhia dhe dallga më e lehtë do ta shkatërrojnë dhe pjesët e saj zor se do të mund të gjenden.

Të vazhdohet edhe për pesë vitet e ardhshme do të thotë të mbetemi larg alternativës sonë, e cila është kthimi i gjykatave autonome dhe vetëqeverisëse; kthimi i pavarësisë së gjyqtarëve; mendimit të lirë; jo censurës; jo grupeve të interesit; kthimi i meritokracisë, krenarisë dhe respektit që i meritoni të gjithë.

Fjalinë e fundit po e përfundoj me një kërkimfalje, ndoshta e zgjata. Në brendësinë e personalitetit të secilit prej nesh kemi komponentë themelorë: ndërgjegjen njerëzore dhe dinjitetin njerëzor. Prandaj, mos lejoni që nesër ndërgjegjja juaj njerëzore t’ju gjykojë për një votë të gabuar.

Votoni për ndryshim. Votoni për dinjitetin e personalitetit tuaj, i cili është i padiskutueshëm, sepse po ju them sot se trajtoheni si mjet prodhimi, pa zërin tuaj dhe pa personalitetin tuaj.

Faleminderit për vëmendjen dhe durimin për të më dëgjuar.