Gordana Siljanovska-Davkova pas takimit me Zoran Milanović: Nuk ka vend për standarde të dyfishta në procesin eurointegrues
Në një ceremoni zyrtare me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sot në Zagreb u prit nga presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanović, me ç’rast filloi vizita e saj dyditore zyrtare në këtë vend.
Të dy presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë, pas të cilit vijoi një takim plenar i delegacioneve maqedonase dhe kroate, ku në fokus ishin marrëdhëniet tradicionale miqësore bilaterale.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Siljanovska-Davkova theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një nga përcaktimet strategjike të shtetit dhe falënderoi për qëndrimin miqësor, mbështetjen dhe mirëkuptimin nga Kroacia, si dhe për ndihmën në hapjen e perspektivave të reja dhe zgjidhjeve të mundshme në procesin e integrimeve evropiane.
Presidentja nënvizoi se shteti është udhëhequr vazhdimisht nga kriteret e Kopenhagës, me qëllim ndërtimin e një sistemi funksional dhe demokratik të përputhshëm me standardet evropiane. Sipas saj, procesi i integrimit në BE duhet të mbetet i bazuar në merita, reforma dhe përmbushje të kritereve evropiane, dhe jo të ngarkohet me çështje bilaterale historike, kulturore, gjuhësore dhe identitare.
Ajo theksoi se pritet trajtim i barabartë dhe zbatim i standardeve të njëjta si për vendet e tjera kandidate, me bindjen se në institucionet evropiane ende ekziston vullnet për të dëgjuar argumentet, për të respektuar të drejtën dhe për të siguruar një vend dinjitoz për çdo popull evropian në Bashkim.
Pjesë nga deklarata e saj:
Fillimisht, falënderim i sinqertë për presidentin, jo vetëm për pritjen e ngrohtë, por edhe për diskutimin e hapur, konstruktiv dhe mbi të gjitha miqësor.
Ajo theksoi se anëtarësimi në BE është një nga sfidat strategjike kryesore dhe se vendi gjithmonë ka qenë pjesë e Evropës nga pikëpamja gjeografike, historike dhe kulturore, prandaj është logjike që ky unitet të kurorëzohet edhe politikisht.
Megjithatë, sipas saj, rruga drejt BE-së është shndërruar në një maratonë. Maqedonia e Veriut mori statusin e kandidatit që në vitin 2005, por ende nuk ka filluar negociatat, pavarësisht shumë raporteve pozitive dhe rekomandimeve nga institucionet evropiane.
Ajo kritikoi kërkesat që lidhen me ndryshimin e Kushtetutës, duke theksuar se Kushtetuta është akt sovran dhe nuk duhet të kushtëzohet nga faktorë të jashtëm, veçanërisht nga vendet fqinje.
Presidentja shtoi se Bashkimi Evropian ndonjëherë ka pranuar vende edhe pa rekomandime pozitive, duke ndihmuar në demokratizimin e tyre, ndërsa nga Maqedonia e Veriut kërkohen kushte që lidhen me historinë, kulturën, gjuhën dhe identitetin.
Ajo kërkoi që të mos ketë standarde të dyfishta dhe që vendi të vlerësohet sipas të njëjtave kritere si vendet e tjera, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
Në fund, ajo shprehu shpresë se në institucionet evropiane ende ka njerëz që besojnë në forcën e argumenteve dhe në të drejtën e çdo populli për të zënë vendin e tij në familjen evropiane.