TË FLASIM DREJT: HISTORIA NUK NISI ME JU DHE NUK MBARON ME JU

TË FLASIM DREJT: HISTORIA NUK NISI ME JU DHE NUK MBARON ME JU

Ky është një mesazh për ata që e përdorin luftën si mburojë për pushtet, përfitime dhe lavdi personale, si dhe për vasalët e tyre politikë, ish-shërbëtorët e Millosheviçit dhe të djathtët që sot vallëzojnë sipas daulles së interesit.

Sakrifica nuk ka çmim – dhe as pronar

Ka ardhur koha të flasim hapur. Mjaft me heshtjen që ushqen hipokrizinë. Mjaft me heshtjen që ua lë historinë në dorë atyre që e përdhosin atë për interesa personale. Ka nga ata që mendojnë se historia e shqiptarëve nisi në vitin 1998 dhe përfundoi kur ata u ulën në karriget e pushtetit.

Por e vërteta është ndryshe – shumë më e thellë, shumë më e dhimbshme, dhe pa krahasim më e lavdishme se sa e paraqesin ata.

Populli shqiptar ka kaluar nëpër epoka të tmerrshme lufte, gjakderdhje dhe sakrifice. Jemi përballur me perandori, me pushtime, me internime, me spastrim etnik. Jemi djegur për së gjalli, jemi varur në shtylla, jemi mbytur në lumenj. Dhe në të gjitha ato kohë, njerëzit nuk kanë luftuar për të ndërtuar vila apo për të hapur tenderë — por për të mbijetuar si komb, si nder, si gjuhë, si identitet.

Lufta e fundit në Kosovë nuk ishte as e para dhe nuk do të jetë as e fundit në përpjekjet tona për drejtësi dhe dinjitet.

UÇK-ja nuk ishte një kompani private, por një organizatë e frymëzuar nga një histori e gjatë sakrifice. Por sot, fatkeqësisht, disa prej atyre që e përdorin emrin e saj, e kanë kthyer atë në mbulesë për korrupsion, në armë kundër kundërshtarëve politikë, në justifikim për pasuri të pajustifikueshme.

Ju që i thoni vetit çlirimtarë dhe tani e përdorni atë luftë për t’u mbajtur në pushtet: a e kuptoni se po e shkelni amanetin e atyre që vdiqën pa kërkuar asgjë në këmbim? A e dini se shqiptarët nuk do të gjykohen në histori nga fjalët, por nga veprat? Nga varrezat masive, nga plagët e pambyllura, nga gjaku që ende flet.

Ata që vallëzojnë me defin e RAZMAGJUPES

Po ka edhe më keq se ata që e përdorën luftën për të ndërtuar pasuri. Janë ata që janë ushqyer në prehrin e regjimeve të kaluara, mësuan të notojnë në politikë si bretkosat në ujë të ndotur.

Dje buzëqeshnin në tryezat e pushtuesit, sot rreshtohen nën hijen e “çlirimtarëve”. Ata nuk kanë ide, nuk kanë shtyllë, nuk kanë kurriz – kanë vetëm interes.

Vallëzojnë në skenën politike siç ua rreh defi i Razmagjupja ,dhe nuk janë pak. Janë shumë.
Shumica prej tyre janë ata që dje shanin çlirimtarët, e sot i quajnë “komandantë”, vetëm që të ruajnë ndonjë zyrë, ndonjë rrogë apo ndonjë telefon me pullë të artë.

Dhe pastaj janë “djathtistët” — të ashtuquajturit mbrojtës të vlerave kombëtare, që për një post të pshurrtë bëhen palë me këdo. Shesin interesin e ATDHEUT, ulin kokën para tradhtisë për t’ia mbajtur hatrin liderit, bëhen kukulla të partisë që i shërben më mirë interesit personal. Nuk kanë as ideologji, as ideal — vetëm etje për pushtet, për rehati, për poste.

“Ne që shohim nga podiumi, i themi këtij populli: mos heshtni – përndryshe bëheni pjesë e fajit.
Heshtja është bashkëfajësi.
Kush hesht sot, nesër do të turpërohet bashkë me fajtorët.”

A ka më turp se një popull që shehë vetën me sy të tillë? A ka më rënie morale sesa të shesësh gjakun e të rënëve për një mikrofon në televizion apo një karrige që të lëshon kolltuku sapo ndërrohet qeveria?

Ju që sot i thoni vetes pasardhës të heronjve, por jeni rreshtuar për të përkrahur çdo tradhti, çdo padrejtësi, çdo marrëveshje që e dëmton këtë popull – jeni as më shumë e as më pak se bashkëpunëtorë të heshtur të rrënimit kombëtar.
Ju nuk jeni të djathtë, nuk jeni as të majtë – jeni të përkulur, dhe ashtu do të ju shënojë historia.

Kthehuni dhe ndihmoni atë që fitoi besimin e këtij populli. Ndërtoni institucione, jo pengesa.
Sepse vendin që e lini bosh, e zë ai që nuk e meriton.
Demokracia nuk është pazar.
Vota e këtij populli të vuajtur nuk është lodër që përdoret kur të leverdis.

“Dijeni, o zuzare: historia nuk nisi me ju – dhe sigurisht nuk do të mbarojë me ju.
Ajo vazhdon. Me ju, apo pa ju.”