Bashkëpunimi ekonomik Kosovë – Shqipëri
Shkruan-Dr. Msci.ecc. Vlora Obertinca
Sa e bukur ishte parada e parakalimit të shqiptarëve në New York para disa ditëve. Shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, gjithandej kah janë, të gjithë së bashku paraqesin me të vërtetë një diasporë për të qenë krenarë. Secili shqiptarë që dilte e fliste ishte më i suksesshëm se tjetri. Ata falë punës së tyre të palodhshme kanë arritur të krijojnë një jetë stabile financiare në perëndim deri në Amerikën e largët. Të gjithë këta shqiptarë do t’a bënin punën e njejtë në atëdhe po t’u ipej rasti, e rasti jipet atëherë kur shteti i krijon kushtet ekonomike duke i garantuar investimet e tyre.
Ne kemi dy shtete shqiptare në Ballkan me dy Kryeministra par excellence, karizmatik e të mençur sa të duash, te cilët po shkelqejnë dhe po na bëjnë krenarë me aftesitë e tyre në skenën politike kombëtare dhe ndërkombëtare. Si lum ne që i kemi dy koka gjeniale në krye të dy shteteve tona, të cilat po të bëheshin bashkë me mençurinë dhe kreativitetin e tyre do të krijonin parajsë jetese në Ballkanin Perëndimor.
Takimet në mes të dy qeverive shqiptare nuk po mungojnë ndonëse, do të ishte mirë sikur bashkëpunimet të thelloheshin edhe më tepër në sektorin ekonomik dhe financiar. E them këtë sepse, ekonomia e fortë e një shteti është alfa dhe omega për plasimin e atij shteti në ranglisten e shteteve të zhvilluara ekonomikisht në botë, gjë që nuk është e lehtë.
Investimet në portin e Durrësit dhe Vlorës tanimë kanë filluar dhe, do të ishte mirë sikur edhe Kosova të fillonte me investimet e saja në turizmin malor në Brezovicë deri te malet e Rugovës, në mënyrë që shtetet shqiptare të bëhen lidere në turizmin veror dhe atë dimëror në rajon. Në njërën anë kemi detë, e në anën tjetër kemi mal. Shqiptarët brenda ditës mund të shijojnë verë në dimër, skijim në mal dhe qëndrim në detë – e ku ka më mirë se kjo ?! Por athua, a mund të jemi më kreativ në ide për rritjen dhe intensifikimin e këtyre investimeve në nivele qeveritare ndërshqiptare ?
Sigurisht që po.
Tregu i kapitalit mungon në Shqipëri dhe Kosovë, jo pse nuk kemi resurse strategjike por pse nuk kemi iniciativa dhe ide konkrete për jetësimin e tyre. Zhvillimi i tregut të kapitalit është qenësor për ngritjen e rejtingut kreditor të të dy shteteve shqiptare.
Mendojë se, Shqipëria do të duhej t’i emetojë letrat me vlerë mbi projektet e saja kapitale në bregdet si ajo e Durrës Marina apo Vlora Marina. Këto letra me vlerë që i garanton shteti shqiptarë do te duhej që, pjesërisht të investojë në to edhe shteti i Kosovës dhe diaspora mbarë shqiptare. Nga ana tjetër do të duhej që, qeveria e Kosovës te intensifikojë projektin e turizmit dimëror në Brezovicë dhe të emetojë gjithashtu letra me vlerë mbi këtë projekt kapital dhe , qeveria e Shqipërisë të investojë gjithashtu në letrat me vlerë të Kosovës së bashku me diasporën shqiptare dhe pse jo edhe investorët e huaj. Kjo do të thotë se, shtetet shqiptaro- shqiptare bëhen pronar kryesor të ndersjelltë të kapitali të tyre , duke e mbështetur fuqishëm kapitalin e investuar me të gjithë mekanizmat ligjorë, garancat shtetërore, si dhe me risigurime ndërkombëtare nga kompanitë prominente botërore të specializuara në lëmin e risigurimeve.
Kështu paratë do sillen dhe mbesin në atëdhe, kapitali do të qarkullon në trojet shqiptare, do të rritet GDP-ja dhe mirëqenia e përgjithshme e popullit, si dhe do të shmanget ekzodi i të rinjëve shqiptarë në perëndim, sepse pagat do të rriten në nivel me ato të perëndimit dhe vendet e punës do të jenë të mjaftueshme. Madje, mund të hapet rruga edhe për rikthimin e të gjitha shqiptarëve të interesuar nga diaspora për të jetuar dhe prosperuar ekonomikisht në vendlindje.
Duke garantuar stabilitet financiar nëpërmjet të operimit të letrave me vlerë në tregun e hapur, Shqipëria dhe Kosova në te ardhmen e afërt mund të emetojnë edhe EURO – Bondin shqiptarë
në tregun financiar perëndimor dhe të konkurojnë si dy tregje financiare te përbashkëta nën ombrellën e një politike monetare të përbashkët dhe të suksesshme. Kështu promovohet Kosova dhe Shqipëria si shtete stabile ekonomikisht dhe financiarisht ku mbi të gjitha mbretëron ligji, dhe si të tilla do të jenë atraktive për tërheqjen e investorëve të huaj në sektorët strategjik të turizmit malor – detar, dhe jo vetëm.
Duke punuar në fuqizimin e tregut financiar nëpërmjet të emetimit të letrave me vlerë dhe operacionalizimit të tyre efikas, qeveritë shqiptare mund të stabilizojnë dhe te fiksojnë normat e interesit për tërë tregun financiar, të mbajnë nën kontroll inflacionin, si dhe të injektojnë buxhetin qeveritar sa herë që ka nevojë. E pas këtyre hapave është e lehtë të themelohet dhe menagjohet tregu i kapitalit dhe bursa e cila i mungon shteteve tona.
Keshtu lidhen, fuqizohen dhe faktorizohen më shumë shtete tona dhe populli ynë në rajon.
Të dashur Kryeminstra Rama dhe Kurti , ju lutem filloni me reforma ekonomike të përbashkëta, koherente dhe te sinkronizuara sepse, edhe ideja e amnestisë fiskale do të inkorporohet më lehtë kur, Banka Qendrore e Kosovës dhe Shqipërisë bëjnë bashkarisht politika monetare zhvillimore të avancuara meqë ju takon sepse, janë boshti i rrotullimeve financiare shtetërore dhe mbi të gjitha këshilltare financiare kyqe të qeverisë.
Bashkimi e bënë fuqinë dhe guri i rëndë peshon në vend të vet !
Dr. Msci.ecc. Vlora Obertinca
Eksperte e tregjeve financiare,
Doktor shkence në lidership