Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi ka njoftuar se lideri i partisë, Ali Ahmeti do të angazhojë ekip ndërkombëtar me në krye Paul William, për, siç ka shkruar Ademi në rrjetet sociale , gjetjen e zgjidhjes për “mosrespektimin e vullnetit të votuesve”. Ademi ka theksuar se ekipi është duke punuar në disa ide të propozuara për të pamundësuar mosrespektimin e vullnetit të votuesve në të ardhmen dhe shkeljen e frymës së Marrëveshjes së Ohrit.
ARBËR ADEMI,NËNKRYETAR I BASHKIMIT DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Kryetari Ahmeti ka angazhuar një ekip ndërkombëtar ekspertësh të udhëhequr nga Paul Ëilliams, autor i tekstit të Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001. Ekipi është duke punuar në disa ide të propozuara për të pamundësuar mosrespektimin e vullnetit të votuesve në të ardhmen dhe shkeljen e frymës së Marrëveshjes së Ohrit, duke theksuar se esenca e Marrëveshjes së Ohrit është të parandalojë sundimin e shumicës (majorizimin) mbi komunitetin e dytë më të madh ne vend, duke promovuar kështu një demokraci të vërtetë multietnike dhe konsensuale”.
Ndërkaq, Zëvendëskryeministri dhe ministri në Ministrinë e komuniteve, Ivan Stoilkoviq ka bërë të ditur se do t’i bëj revizion mbi 3 mijë punësimeve që kanë kaluar përmes kësaj ministrie, më parë e njohur si sekretariat për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ai në një intervistë për “Kanal5” paralajmëroi gjithashtu një revizion të posaçëm për të gjithë ata që janë punësuar fillimisht përmes kësaj ministrie, e më pas janë shpërndarë nëpër institucionet tjera. Sipas vlerësimeve të Stoilkoviç, ka më shumë se 3,000 vende pune.
IVAN STOILKOVIQ,ZV/KRYEMINISTËR DHE MINISTËR I KOMUNITETEVE
“99 persona janë deklaruar si maqedonas edhe pse dukshëm i përkasin bashkësisë kombëtare shqiptare. Pra, struktura kombëtare e ministrisë është se 91 për qind janë pjesëtarë të një bashkësie etnike dhe 5 për qind anë maqedonas. Gjatë kohës së ministrisë së Artan Grubit, në këtë mënyrë kanë kaluar rreth 3000 punësime dhe janë shpërndarë nëpër institucionet shtetërore”.
Për këtë çështje sot ka folur edhe Kryetari i Lëvizjes Besa, pjesë e koalicionit VLEN, Bilall Kasami. Në lidhje me sistemimin e të punësuarve në ish Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, që udhëhiqej nga Artan Grubi, Kasami tha se në atë ministri ka patur punësime fiktive dhe manipulime, persona që nuk kanë shkuar në punë por që kanë marr rroga.
BILALL KASAMI,KRYETAR I LËVIZJES BESA
“Nuk lejojmë dhe nuk tolerojmë që dikush të marrë rroga dhe të mos shkojë në punë. Çdokush që do të jetë i sistemuar në një institucion, do të transferohet në atë institucion, do t’i krijohen kushte që të shkojë në punë, ata që nuk do të shkojnë në punë, sigurisht në bazë të ligjit, nëse nuk paraqiten në vendin e punës, do të duhet të shkojnë në shtëpi”.
Në këtë ministri, e cila deri më tani është më e përfolura, Stoilkoviq tha se shqiptarët janë deklaruar si maqedonas, madje sipas tij, ka edhe një rast kur dikush është deklaruar si serb, vetëm e vetëm për tu punsuar në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënieve mes Bashkësive.
Samir Mustafa /SHENJA/