Geci:QËNDRUESHMËRIA E SOVRANITETIT: SFIDA E KOSOVËS MES SHBA-SË DHE RUSISË

QËNDRUESHMËRIA E SOVRANITETIT: SFIDA E KOSOVËS MES SHBA-SË DHE RUSISË

Deklarata e diplomatit amerikan Daniel Serwer, se kryeministri Albin Kurti po ushtron sovranitetin në veri të Kosovës, ka hapur debat të gjerë mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e këtij procesi. Kjo deklaratë është përshëndetur nga shumëkush si një hap historik, por gjithashtu ngre pyetje për përgjegjësitë e qeverive të mëparshme dhe sfidat që ky veprim përball.

Ajo që është e sigurt është se për popullin e Kosovës, veçanërisht për ata që kanë përjetuar mungesën e shtetit në veri, ky veprim shihet si një hap i domosdoshëm dhe i nevojshëm nga qeveria Kurti. Por beteja për sovranitetin nuk është vetëm çështje e vendimeve politike; ajo kërkon edhe përballje me ndikimin ndërkombëtar dhe strukturat kriminale që kanë operuar lirshëm për dekada.

A është ky fundi i iluzionit për sovranitetin në veri të Kosovës apo një fillim i ri për vendin? Koha do ta tregojë.

Për popullin e Kosovës, ushtrimi i sovranitetit nga qeveria Kurti është një arritje historike, por për opozitën dhe Serbinë, kjo shihet si një veprim populist apo përshkallëzim i panevojshëm. Ata që kanë vuajtur mungesën e shtetit në veri e shohin këtë si një hap drejt përmbushjes së një aspirate të mohuar për më shumë se dy dekada.

Në anën tjetër, opozita dhe Serbia e konsiderojnë këtë veprim si një përpjekje që do të dështojë për shkak të sfidave të brendshme dhe presionit ndërkombëtar.

Për më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, veriu i Kosovës ka qenë një zonë ku sovraniteti i Kosovës nuk ka ekzistuar në praktikë. Kjo pjesë e vendit ka qenë e dominuar nga struktura paralele të financuara dhe mbështetura nga Serbia, ndërsa qeveritë e kaluara shpesh kanë shmangur përballjen e drejtpërdrejtë me këto struktura. Në vend të veprimeve të guximshme, ato kanë lejuar që krimi i organizuar dhe ndikimi i Serbisë të lulëzojnë.

Marrëveshjet e Brukselit, të (2013 dhe 2015 të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, synuan normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Por, në praktikë, ato çuan në legjitimimin e strukturave paralele serbe në veri, duke u dhënë atyre kompetenca të ngjashme me ato të një shteti brenda shtetit.

Qeveritë e mëparshme të Kosovës, përmes këtyre marrëveshjeve, jo vetëm që i fuqizuan këto struktura, por edhe i ndihmuan ato të marrin kontrollin mbi veriun. Lista Serbe, e udhëhequr nga Serbia, arriti të dominojë politikisht dhe të krijojë një realitet ku kufiri mes Kosovës dhe Serbisë ishte praktikisht ura e Ibrit.

Në këtë situatë, rojet e urës dhe grupet kriminale funksiononin si instrumente të Serbisë për të mbajtur kontrollin mbi veriun, ndërsa qeveritë e atëhershme të Kosovës zgjodhën kompromisin dhe heshtjen.

Sot, qeveria Kurti po përpiqet të shtrijë sovranitetin në veri. Ky veprim është një arritje historike, por sfida e madhe mbetet ruajtja dhe konsolidimi i këtij sovraniteti. Qëndrueshmëria e këtij hapi nuk varet vetëm nga përkushtimi i qeverisë, por edhe nga qëndrimi i fuqive të mëdha, si SHBA dhe Rusia.