Halil Geci e krahason fitoren e Albin Kurtit me çlirimin e Kosovës – e quan të njëjtë sikur në vitin 1999 nga pushtuesi serb
Postimi i plotë:
POPULLI E PËRJETOI KËTË VIT SI ÇLIRIMIN E DYTË TË KOSOVËS, NJËSOJ SI DITËN KUR NATO HYRI NË KOSOVË
Një reflektim politik për rrëzimin me votë të kapësve të shtetit dhe shpresën e një epoke të re demokratike
Në këtë shkrim dua t’i uroj popullit tim Gëzuar Vitin e Ri 2026,një vit që do të mbetet i paharruar në historinë e re të Kosovës. Ky vit shënon jo vetëm një ndërrim kalendarik, por një kthesë të madhe politike dhe morale për vendin tonë: një çlirim të dytë, të arritur jo me armë, por me votë.
Për shumë vite me radhë, skena politike e Kosovës u mbajt peng nga individë dhe grupe që, në emër të luftës, sakrificës apo figurave historike, uzurpuan pushtetin, pasurinë publike dhe institucionet e shtetit. Në emër të tri shkronjave të shenjta UÇK, disa u vetëshpallën çlirimtarë të përhershëm, duke e përdorur luftën si alibi për pasurim personal dhe përjashtim të të tjerëve.
Në anën tjetër, në emër të tri shkronjave LDK – por edhe UÇK dhe figurës historike të Presidentit Ibrahim Rugova, u ngrit një elitë që për vite të tëra u shndërrua në pjesë të pazareve politike, duke bashkëpunuar me struktura të dyshimta dhe duke humbur busullën morale e kombëtare.
U arrit deri aty sa të relativizohej rreziku nga Lista Serbe, ndërsa të shpallej armik kryeministri i Kosovës. U fol për “varre” e jo për shtet, për dhunë ndaj institucioneve dhe për projekte të rrezikshme si ndarja, asociacioni monoetnik dhe ekstraterritorialiteti – plane që cenonin drejtpërdrejt sovranitetin e Kosovës.
Këto veprime nuk kaluan pa reagim. Populli u vetëdijesua. U organizua. Dhe zgjodhi armën më të fortë në demokraci – votën. Me votë u goditën fort ata që e kishin kapur shtetin. Me votë u rrëzua një sistem i tërë hilesh, korrupsioni dhe mashtrimi.
Gëzimi i qytetarëve për këtë ndryshim është i krahasueshëm me ditët kur NATO hyri në Kosovë ,sepse edhe ky ishte një çlirim.
Viti 2026 le të jetë viti kur opozita më në fund e kupton se Kosova nuk ndërtohet me frikë, kërcënime dhe nostalgji të rreme, por me përgjegjësi, ndershmëri dhe shërbim ndaj qytetarit.
Tri shkronjat UÇK dhe LDK janë pjesë e historisë sonë dhe duhet të respektohen, por ato nuk janë pronë private e askujt dhe nuk mund të përdoren si mburojë për korrupsion, pasurim apo shkatërrim të shtetit.
Kosova ka hyrë në një epokë të re. Populli foli. Dhe fjala e tij ishte e qartë.
Gëzuar Vitin e Ri – vitin e shpresës, drejtësisë dhe çlirimit të dytë të Kosovës.