Nga kontrolli patriarkal te femicidi : Përgjegjësia që nuk mund të shmanget

Nga kontrolli patriarkal te femicidi : Përgjegjësia që nuk mund të shmanget

Nga: Dr. Merita Limani

Vrasja e Arlinda Zekajt është një tjetër ngjarje tragjike që na ballafaqon me një realitet të dhimbshëm: gratë në Kosovë vazhdojnë të jenë të rrezikuara nga dhuna, madje edhe atëherë kur kërkojnë mbrojtje nga institucionet përgjegjëse. Sipas informacioneve të bëra publike deri më tani, Arlinda kishte raportuar kërcënimet, kishte kërkuar ndërhyrjen e institucioneve dhe kishte qenë e pajisur me urdhër mbrojtjeje. Megjithatë, ajo u vra.
Ky rast ngre pyetje serioze për mënyrën se si institucionet tona i trajtojnë rastet e dhunës ndaj grave. Por, njëkohësisht, na obligon të shohim përtej veprimeve apo mosveprimeve individuale të institucioneve dhe të reflektojmë mbi rrënjët më të thella të kësaj dhune në shoqërinë tonë.
Femincidi nuk ndodh në një vakum shoqëror. Ai i ka rrënjët në kulturën patriarkale, të cilën si shoqëri vazhdojmë ta kultivojmë dhe ta riprodhojmë, jo vetëm brenda familjeve dhe jetës sonë private, por edhe në institucionet publike.
Duhet ta emërtojmë qartë edhe atë që shpesh fshihet pas shprehjeve të përgjithshme si “dhuna ndaj grave” apo “dhuna në familje”: po flasim për dhunën që burrat ushtrojnë ndaj grave, për kontrollin që burrat përpiqen të vendosin mbi trupin, lirinë, zgjedhjet dhe jetën e grave. Kjo nuk do të thotë se të gjithë burrat ushtrojnë dhunë. Do të thotë se, për ta kuptuar dhe parandaluar këtë formë të dhunës, duhet të identifikojmë qartë autorët e saj dhe marrëdhëniet e pushtetit që e mundësojnë. Gjuha neutrale nuk duhet ta fshehë përgjegjësinë e dhunuesve.
Kjo kulturë manifestohet në mënyrën se si i kuptojmë rolet e grave dhe burrave, në tolerimin e kontrollit mbi jetën dhe vendimet e grave, në normalizimin e sjelljeve kërcënuese dhe në prirjen për ta trajtuar dhunën në familje si çështje private. Ajo shfaqet edhe kur dëshmitë e grave vihen në dyshim, kur përgjegjësia zhvendoset nga dhunuesi te viktima, apo kur shqetësimet dhe paralajmërimet e grave nuk marrin vëmendjen që meritojnë.
Patriarkalizmi nuk është vetëm çështje e bindjeve individuale apo e traditave familjare. Ai është i pranishëm edhe në kulturën institucionale, në mënyrën se si merren vendimet, vlerësohet rreziku dhe trajtohen gratë që raportojnë dhunën. Prandaj, nuk mund ta kuptojmë plotësisht dhunën ndaj grave pa shqyrtuar edhe marrëdhëniet e pabarabarta të pushtetit që vazhdojnë ta karakterizojnë shoqërinë tonë.
Miratimi i ligjeve dhe krijimi i mekanizmave mbrojtës, sado të domosdoshëm, nuk mjaftojnë nëse ato nuk shoqërohen me ndryshime në qëndrimet dhe praktikat e institucioneve. Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në ndërtimin e kornizës ligjore dhe institucionale për mbrojtjen e grave nga dhuna. Megjithatë, ekzistenca e këtyre mekanizmave nuk garanton vetvetiu sigurinë e grave.
Mbrojtja duhet të jetë reale, e vazhdueshme dhe e përgjegjshme. Ajo kërkon vlerësim serioz të rrezikut, koordinim ndërmjet policisë, prokurorisë, gjykatave dhe shërbimeve sociale, si dhe reagim të menjëhershëm kur një grua paralajmëron se jeta e saj është në rrezik. Në kë zingjir shërbimesh, diku ka një dështim që po përsëritet!
Në rastin e Arlindës, duhet të ketë një hetim të plotë, të pavarur dhe transparent për të gjitha veprimet institucionale që i kanë paraprirë vrasjes së saj. Duhet të sqarohet nëse rreziku është vlerësuar siç duhet, nëse masat mbrojtëse janë zbatuar në mënyrë efektive dhe nëse institucionet kanë vepruar në përputhje me përgjegjësitë e tyre ligjore. Përgjegjësia institucionale duhet të përcaktohet mbi bazën e fakteve dhe provave, por zbatimi formal i procedurave nuk duhet të ngatërrohet me ofrimin e mbrojtjes efektive.
Njëkohësisht, duhet të jemi të kujdesshëm ndaj diskursit që, drejtpërdrejt apo tërthorazi, ia kalon përgjegjësinë viktimës. Pyetjet se përse një grua është kthyer në shtëpi, përse nuk është larguar më herët apo përse nuk ka pranuar një formë të caktuar strehimi, nuk duhet ta zhvendosin vëmendjen nga përgjegjësia e dhunuesit dhe detyrimi i institucioneve për ta mbrojtur atë. Gratë nuk duhet të detyrohen të heqin dorë nga shtëpia, autonomia apo jeta e tyre e përditshme për të qenë të sigurta.
Dhuna ndaj grave nuk është një fenomen pa autorë. Burrat që kërcënojnë, kontrollojnë, dhunojnë apo vrasin gra duhet të emërtohen si përgjegjës për veprimet e tyre. Institucionet, nga ana tjetër, kanë përgjegjësi ligjore për të parandaluar rrezikun dhe për të ofruar mbrojtje efektive.
Autori i kësaj vepre makabre duhet të përballet me përgjegjësi të plotë penale. As tradita, as normat patriarkale dhe as pretendimi për kontroll mbi jetën e një gruaje nuk mund të justifikojnë vrasjen. Drejtësia për Arlindën kërkon ndëshkimin e autorit, por edhe hetimin e plotë të çdo veprimi apo mosveprimi institucional që mund të ketë cenuar mbrojtjen e saj.
Por, përgjegjësia për ndryshimin e kushteve shoqërore që e mundësojnë dhunën na përket të gjithëve.
Nuk mund të kërkojmë mbrojtje efektive për gratë, ndërkohë që vazhdojmë të tolerojmë qëndrime që e justifikojnë kontrollin mbi to, që e relativizojnë dhunën apo që e konsiderojnë pabarazinë gjinore si pjesë të natyrshme të jetës familjare dhe shoqërore. Nuk mund të presim që institucionet të veprojnë pa paragjykime nëse nuk i sfidojmë të njëjtat paragjykime që vazhdojnë të riprodhohen në shoqërinë tonë.
Parandalimi i femincidit kërkon më shumë sesa reagime pas çdo vrasjeje. Kërkon edukim për barazi gjinore, ndryshim të normave shoqërore që po e normalizojnë dhunën, fuqizim të mekanizmave të mbrojtjes dhe përgjegjësi të qartë për institucionet që nuk i përmbushin detyrimet e tyre.
Për këtë arsye, edhe në debatin publik duhet ta ndryshojmë gjuhën: jo vetëm “një grua u vra”, por edhe kush e vrau; jo vetëm “dhunë në familje”, por edhe kontroll, kërcënime dhe dhunë e ushtruar nga burrat ndaj grave.
Mbi të gjitha, duhet që dhuna ndaj grave të mos trajtohet si një seri tragjedish të izoluara, por si një problem serioz shoqëror dhe institucional, i lidhur ngushtë me pabarazinë gjinore dhe marrëdhëniet e pushtetit.
Vrasja e Arlindës duhet të na nxisë të reflektojmë jo vetëm për atë që mund të ketë shkuar keq në këtë rast, por edhe për atë që duhet të ndryshojë rrënjësisht në mënyrën se si shoqëria dhe institucionet e kuptojnë dhe e trajtojnë dhunën ndaj grave.
Një shoqëri nuk mund të pretendojë se i mbron gratë vetëm sepse ka miratuar ligje për mbrojtjen e tyre. Mbrojtja matet me sigurinë që gratë përjetojnë në jetën e tyre të përditshme, me seriozitetin me të cilin trajtohen paralajmërimet e tyre dhe me përgjegjësinë që institucionet marrin për veprimet e tyre.
Arlinda kishte të drejtë të jetonte e sigurt. Këtë të drejtë e ka ç’do grua. Por, kjo e drejtë nuk duhet të mbetet vetëm në letër!


Dr. Merita Limani është Postdoctoral Fellow në Queen’s University në Kanada, si dhe studiuese dhe avokuese për të drejtat e grave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *