MESAZH I FORTË NGA FATMIR LIMANI: OSE MARRËVESHJE POLITIKE, OSE ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME NË MAQEDONI!
Politika në Maqedoninë e Veriut duhet të dalë nga ngërçi institucional dhe të vendosë interesin shtetëror mbi kalkulimet partiake. Këtë mesazh e përcjell Fatmir Limani, përmes një qëndrimi të publikuar lidhur me krizën politike, ekonomike dhe proceset eurointegruese të vendit.
Sipas Limanit, zgjedhjet e parakohshme nuk duhet të shihen si çështje ambiciesh partiake, por si një mundësi për të rikthyer funksionalitetin e institucioneve dhe për të parandaluar thellimin e krizës ekonomike.
Ai thekson se zgjedhjet nuk përbëjnë zgjidhje në vetvete, nëse pas tyre nuk arrihet një marrëveshje politike për çështjet strategjike që e mbajnë vendin të bllokuar.
Në fokus të këtij qëndrimi janë dy çështje kryesore: ndryshimet ligjore që kërkojnë shumicë të dyfishtë, përkatësisht shumicën e Badenterit, si dhe zhbllokimi i procesit të integrimit evropian përmes zgjidhjes së çështjeve të hapura me Bullgarinë dhe përmbushjes së detyrimeve që dalin nga korniza negociuese me Bashkimin Evropian.
Limani vlerëson se vendi nuk ka më luksin e pritjes së pafundme, pasi izolimi politik rrezikon të shndërrohet edhe në izolim ekonomik. Ai përmend gjithashtu rëndësinë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe instrumenteve financiare të BE-së si mundësi konkrete për investime, reforma dhe zhvillim.
Një pjesë të veçantë të mesazhit të tij Limani ia kushton edhe faktorit politik shqiptar. Sipas tij, opozita shqiptare duhet të dëshmojë përgjegjësi politike, ndërsa partnerët shqiptarë në qeverisje duhet ta dëshmojnë partneritetin përmes respektit të ndërsjellë, besueshmërisë dhe vendimmarrjes së përbashkët.
Ai nënvizon se pala shqiptare duhet të jetë faktor i zgjidhjeve dhe stabilitetit, e jo pjesë e bllokadave dhe krizave të panevojshme.
Në përfundim, Limani thekson se nëse zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja rrugë për arritjen e një marrëveshjeje të re politike dhe zhbllokimin e proceseve jetike të vendit, atëherë ato duhet të shihen si mundësi dhe jo si kërcënim.
“Qytetarëve nuk u intereson se kush do të dalë fitues në zgjedhjet e ardhshme, nëse shteti vazhdon të mbetet humbës”, është mesazhi përmbyllës i qëndrimit të Fatmir Limanit.