Shkruan : Nuhi Zekiri
Në një kafiteri e qytetit të Kumanovës, mes bisedave me shokët për sportin, kombëtaren dhe jetën e përditshme, nuk mund të mos prekim edhe politikën si gjithmonë, pjesë e pandashme e realitetit tonë shqiptar.
Nuk dua të flas për veten në mënyrë lavdëruese për secilin duhet të flasin veprat dhe të tjerët,por mund të them me bindje se gjithmonë kam qenë i palëkundur në atë që e kam konsideruar të drejtë. Kam menduar me kokën time dhe i kam gjykuar ngjarjet me sytë e mi. Dhe për këtë nuk kam pasur nevojë për udhëzime nga lart, as për direktiva nga partia.
Nuk mund të pranojmë që për dështimet e rënda të politikave 22-vjeçare të BDI-së t’u vihet faji vetëm “ushtarëve të Facebook-ut”.
Jo! Faji është i vetë drejtuesve të saj, të cilët për dy dekada kanë ndërtuar një sistem që e ka mbajtur peng zhvillimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Po kujtoj disa nga këto dështimet:
Shqiptarët mbetën thjesht “20%” në letër, pa realizuar ndonjëherë barazi reale.
Ish-ushtarët e UÇK-së u burgosën për arsye politike.
Rrahje dhe presione ndaj nxënësve shqiptarë në shkolla.
Politikanë të shpallur të korruptuar, të futur në listat e zeza ndërkombëtare.
Pasurimi marramendës i individëve që dikur u kthyen nga diaspora me një valixhe dhe sot janë milionerë.
I përkas vijës politike të Arben Xhaferit, vijës së mendimit kombëtar dhe demokratik të dikurshëm të PDSH-së. Por për fat të keq, ajo përfundoi në prehrin e BDI-së – dhe kjo ishte e dhimbshme për shumë prej nesh, aktivistë të përkushtuar me zemër e ndërgjegje.
Kemi vazhduar me formimin e LR-PDSH-së, e më pas u bashkuam rreth Aleancës për Shqiptarët me Ziadin Selën. Ishte një rrugë me shpresë, me besim të madh se po krijonim një alternativë të ndershme dhe të drejtë për shqiptarët. Por edhe aty ndodhi një zhgënjim: ndarja dhe bashkimi me të njëjtët njerëz që i kritikuam me një “çlirimtar” që s’e solli kurrë çlirimin e premtuar për popullin, por çlirim të privilegjuar për një rreth të ngushtë njerëzish.
Sot jemi dëshmitarë të një realiteti të ri. Koalicioni VLEN fitoi mbi 100.700 vota të pastra shqiptare një mbështetje e sinqertë për një drejtim të ri. Por, çfarë ndodhi më pas? Ulërima, shqetësime dhe akuza jo për mungesë barazie, por për humbje të kolltuqeve dhe privilegjeve. U pa qartë se kujt i dhëmb më shumë pushteti sesa ideali.
Dhe erdhi edhe një tjetër goditje: Arben Taravari dikur kritik i rreptë i BDI-së dhe udhëheqës i një rruge ndryshe braktis qeverinë e re dhe afron bashkëpunimin me të njëjtën BDI që e quante të korruptuar e të dështuar. Thotë se po i “dhurohen” 6 komuna në pjatë. Por ne e dimë: komunat nuk i jep Aliu, por i voton populli!
Rruga e mbarë, z. Taravari ne jemi në një rrugë tjetër. Në një rrugë të pastër, të ndërgjegjshme dhe fisnike. Ne kemi njerëz të ndershëm, të pa korruptuar, si Arben Fetahu një përfaqësues i denjë i diasporës, me arsimim dhe integritet, që vjen nga një familje patriotike dhe nuk e sheh politikën si mjet pasurimi personal.
Ne jemi përkrahës të rrugës së Arbrit rrugës së ndershmërisë, të drejtësisë dhe të shërbimit ndaj popullit. Ne nuk kemi shkelur mbi parimet tona dhe nuk do ta bëjmë kurrë.
Rruga jonë vazhdon…