Arben Fetai: Më 19 tetor mori fund politika e pazareve, VLEN është forca që mbron kombin

Zëvendëskryeministri dhe një nga figurat kryesore të koalicionit opozitar VLEN, Arben Fetai, ka reaguar ashpër ndaj politikës së vjetër, duke thënë se pas 20 vitesh mashtrime e pazare politike, shqiptarët më në fund i dhanë fund kësaj epoke.

“Për 20 vite, të njëjtët njerëz që çdo keqbërje ndaj shqiptarëve e justifikonin me ‘ku të shkojmë’, vazhdojnë të mbjellin politikë makiaveliste. Me çdo formë, me çdo mjet propagandistik, synojnë vetëm një gjë – pushtetin. Sepse vetëm ashtu dinë të jetojnë,” shkruan Fetai.

Ai kujtoi kohën kur “kryenegociatori i BDI-së, Fatmir Besimi, pas 150 mijë votave të shqiptarëve shkonte të bënte koalicione që zgjatnin 10 minuta, mjaftonte fjala e Sasho Mijallkovit për ndarjen e posteve.”

Sipas tij, kjo politikë mori fund më 19 tetor, kur shqiptarët zgjodhën ndryshimin dhe i dhanë besimin forcës që mendon, vepron dhe mbron – VLEN.

“VLEN është forca që mendon, vepron dhe mbron. Asnjëherë kundër kombit, asnjëherë kundër askujt,” përfundon Fetai.