“Blesok 26” dëshmon gatishmërinë e Maqedonisë për mbrojtje kolektive dhe siguri globale

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova: “Blesok 26” dëshmoi gatishmërinë tonë për mbrojtjen kolektive të sigurisë dhe paqes kombëtare, rajonale, evropiane dhe botërore

Sot, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova ndoqi ushtrimin “Blesok 26”, pjesë e programit të NATO-s, i cili u realizua nga 19 deri më 27 prill në poligonin “Krivollak”.

Sipas saj, edhe një herë u dëshmua se vlerësimet më të larta për Grupin e Lehtë të Këmbësorisë në nivel batalioni nuk janë të rastësishme, por bazohen në njohuritë, disiplinën, përvojën dhe përgjegjësinë e manifestuar të Armatës së Maqedonisë, të cilat e profilizojnë atë si një anëtar të barabartë, të kualifikuar dhe kredibil të Aleancës.

Për të, “Blesok 26” është një test i kaluar me sukses për gatishmërinë maqedonase për një reagim të shpejtë dhe efikas ushtarak ndaj sfidave reale me të cilat përballet bota, në një ambient ndryshimesh tektonike të rendit ndërkombëtar dhe kërcënimesh në rritje ndaj paqes dhe sigurisë.

Të pranishmit ndoqën realizimin e ushtrimit taktik “Vendosja e një grupi të lehtë këmbësorie në nivel batalioni (GLKB) në operacione ofensive”.

Pas përfundimit të ushtrimit, presidentja i uroi pjesëmarrësit për realizimin e suksesshëm.

Në këtë ngjarje, fjalime mbajtën edhe ministri i mbrojtjes, Vlado Misajlovski, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneral-major Sashko Lafçiski, si dhe shefi i J-9 në Komandën e Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, kundëradmirali Torsten Marks.

Mes të pranishmëve ishte edhe komandanti i Korpusit të NATO-s për dislokim të shpejtë nga Greqia, gjeneral-lejtnant Grigorios Bountliakis.

Në vijim është teksti integral i fjalimit të presidentes Gordana Siljanovska-Davkova:

Të nderuar pjesëtarë të Armatës,
I nderuar Vlado Misajlovski, ministër i mbrojtjes,
I nderuar Sashko Lafçiski, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës,
Të nderuar përfaqësues ushtarakë nga jashtë,
Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar kryetarë komunash,
Të nderuar mysafirë,
Zonja dhe zotërinj,

Për mua, poligoni “Krivollak” nuk është më një pikë periferike gjeografike maqedonase, por një lakmus për testimin e gatishmërisë mbrojtëse të Maqedonisë, një gur i rëndësishëm në mozaikun e NATO-s, në shërbim të paqes si e mirë e përbashkët në kohë kërcënimesh në rritje të sigurisë.

Sot këtu, në këtë vend, in medias res, do të jemi jo vetëm dëshmitarë, por edhe bashkëvlerësues të politikës mbrojtëse maqedonase të bazuar në prova, duke vlerësuar shkallën e harmonisë së domosdoshme ndërmjet dijes dhe disiplinës, përvojës dhe përgjegjësisë, aftësisë për menaxhimin e armëve moderne – elemente të rëndësishme për kompatibilitetin e ushtrisë sonë me ato partnere, por edhe për një politikë të përbashkët dhe të harmonizuar sigurie.

Këtu janë krijuesit dhe koordinatorët e sistemit ushtarak-mbrojtës maqedonas, të cilët presin të ndriçojnë rezultatet e punës së tyre të mundimshme dhe të përgjegjshme.

Ushtrimi “Blesok 26”, në kuptimin më të thellë, është një verifikim i dimensionit institucional dhe funksional të kapacitetit të Armatës si një segment i rëndësishëm dhe shumë i respektuar i shtetit për shkak të qasjes serioze ndaj sigurisë – një fushë që nuk toleron improvizim dhe sipërfaqësi, por kërkon thellësi dhe përkushtim.

Jetojmë në një kohë trazirash dramatike gjeopolitike dhe një vakuumi juridik, ku rregullat e vjetra relativizohen deri në mosnjohje dhe mosrespektim, ndërsa të rejat ende nuk janë vendosur. Ndodhi e paimagjinueshmja – luftë në tokën evropiane; Lindja e Mesme nuk është vetëm e paqëndrueshme, por prodhon paqëndrueshmëri më të gjerë, madje globale, me pasoja afatgjata; hapësira kibernetike është shndërruar në arenë konflikti; dezinformatat janë bërë instrument për nxitjen e mosbesimit; ndërsa përparimi teknologjik, sado i dukshëm, hap dilema serioze etike dhe të sigurisë.

Në rrethana të tilla, shtetet – përfshirë edhe tonin – duhet të fokusohen në ndërtimin e institucioneve të forta, të qëndrueshme dhe rezistente, të investojnë në arsim, shkencë dhe dije, si dhe të forcojnë koordinimin midis sistemeve cilësore, përfshirë ato ushtarake, të gatshme për reagim të shpejtë, racional dhe efikas.

“Blesok 26”, si pjesë e programit të NATO-s, është një shprehje e qartë e përkushtimit tonë ndaj mbrojtjes kolektive, stabilitetit rajonal dhe paqes. Këtë e theksoi edhe sekretari i përgjithshëm Rutte gjatë vizitës së tij të fundit.

Ky ushtrim është një test për gatishmërinë tonë për të vepruar në operacione paqeruajtëse, për t’u përballur me kërcënime hibride dhe për pjesëmarrje të barabartë në sistemin kolektiv të sigurisë. Me më shumë se 1.500 pjesëmarrës, ai nuk është vetëm një provë ushtarake, por një shprehje e qartë e besimit të ndërsjellë – një dritë e ndritshme që pasqyron forcën e aleancës dhe fuqinë e bashkimit.

Jam krenare për Grupin e Lehtë të Këmbësorisë në nivel batalioni dhe për vlerësimet e tij më të larta, të shoqëruara me më të rëndësishmen: se është i gatshëm luftarakisht për të kryer misionin e tij. Ky është një sukses i rëndësishëm shtetëror, ushtarak, profesional dhe moral, pas të cilit qëndrojnë kritere të matshme objektive dhe prova, standarde të qarta dhe metodologji serioze, por edhe punë e përkushtuar dhe e palodhur, udhëheqje sovrane dhe përpjekje e madhe nga çdo pjesëtar i njësisë.

Ju, pjesëtarët e Armatës, jeni dëshmi e qartë dhe e pakontestueshme se shteti dhe ushtria maqedonase janë partnerë kredibilë dhe të respektuar në Aleancë.

Besimi më i lartë që gëzoni tek qytetarët është rezultat i ndihmës së dëshmuar shumë herë në momente katastrofash natyrore dhe epidemish.

Ushtria jonë është faktor stabiliteti dhe mbrojtëse e paqes globale. Sot, më shumë se 180 pjesëtarë të Armatës, nën flamurin maqedonas, janë të përfshirë në misione dhe operacione paqeruajtëse.

Fuqia e një ushtrie moderne nuk matet vetëm me pajisjet që posedon, por edhe me meritokracinë në rekrutim dhe avancim, përmirësimin e vazhdueshëm profesional dhe kushtet dinjitoze të jetesës dhe punës për njerëzit me uniformë.

“Blesok 26” është një konfirmim inkurajues dhe frymëzues se ushtria maqedonase e kupton natyrën e kohës në të cilën jetojmë dhe po përgatitet seriozisht për sfidat që ajo sjell.

Të vazhdojmë të ndërtojmë një ushtri që di, një ushtri që respekton hierarkinë dhe disiplinën, por edhe një ushtri të bazuar në vlera të pashtershme.

Një ushtri e tillë është krenaria ime dhe e Maqedonisë!

Faleminderit.