Ismaili:Gjuha shqipe nuk rrënohet lehtë as rëndë sepse rrënjët i ka thellë!

Gjuha shqipe nuk rrënohet lehtë as rëndë sepse rrënjët i ka thellë!

Riaktualizimi i temës për gjuhën shqipe dëshmon se kjo çështje nuk është mbyllur në tërësi prandaj ka hapësirë të hapet nga kushdo e sido. Por, një gjë është e sigurt se gjuha shqipe nuk kontestohet e sulmohet nga askush. Zbatimi e përdorimi i saj vihet në diskutim sa për të ngopur apetitet etnocentriste të disa individëve të keq edukuar.

Koalicioni VLEN që tashmë janë pjesë e Qeverisë duhet të tregojnë konsistencë politike sikurse kur ishin në opozitë e që ndryshimet kushtetuese i kushtëzonin me largimin e definimit ofendues e degradues të gjuhës shqipe(gjuha që flasin 20% e popullsisë).

Ata që e fituan me ata që e humbën luftën politike duhet ta vazhdojnë betejen, por pa shkelur në interesat kolektive përbashkuese.

Përderisa, Fronti Evropian akuzon përfaqësuesit e shqiptarëve, koalicionin VLEN, në emër të mbrojtjes së gjuhës shqipe e kanë gabim dhe nuk e kanë seriozisht brengën për gjuhën. Nuk ka kuptim logjik të bëhet mbrojtja e gjuhës me thirrje për bashkim e me akuza që e pengojnë po atë bashkim potencialisht të mundshëm.

VLEN duhet të jenë të vetëdijshëm që qytetarët nuk e falin, nuk e arsyetojnë, nuk duan të dëgjojnë, e që besa as që e imagjinojnë kthimin pas. Secili gabim në hapa nuk pëson vetëm me rrëzim por edhe me ndëshkim. Megjithatë, nuk duhet të nxitojmë janë vetëm muajt e parë të qeverisjes.

Deklaratat e pamatura janë të porositura. Deklaratave të porositura duhet përgjigjur me maturi dhe pjekuri.

Euforia kalon më shpejt se gripi, gripi mjekohet më lehtë se euforia. Kush i ka të dyjat ka nevojë për trajtim serioz. Euforia e fitores do të kalojë, situata do të normalizohet dhe “anti-shqiptarët” do të shndërrohen në bashkëpunëtorë të zellshëm sepse ndryshe as nuk munden as nuk guxojnë të veprojnë.