Sot pata kënaqësinë të marr pjesë në mbledhjen strategjike të grupit paralamentar ndërpartiak kundër korrupsionit, të organizuar nga NDI amerikan në Shkup.
Në këtë ngjarje që mblodhi përfaqësues të qeverisë, deputetët, partnerët ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile, në emër të qeverisë, bëra thirrje për një front të përbashkët kundër epidemisë së korrupsionit, që është sfida kryesore në kuadër të agjendës së reformave.
Theksova se vetëm të bashkuar dhe me përpjekje të përbashkëta mund të arrijmë rezultate të shpejta dhe të vendosim qeverisjen në shërbim të qytetarëve.
Fatkeqësisht, ishte e pashmangshme të mos përmendja faktin se qeverisja paraprake, edhe përkundër faktit se kishte miratuar shumë strategji e plane pune, kishte ngecur totalisht në zbatim dhe rrjedhimisht lufta kundër korrupsionit kishte dështuar.
Me shumë kënaqësi prezentova punën e kabinetit tim në luftën kundër korrupsionit, rritjen e transparencës të institucioneve dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile.
Ndër të tjera, theksova përpilimin e regjistrit për evidentimin e pronës shtetërore, i cili do të ndihmojë për menaxhimin e mirë të pronës dhe do të parandalojë shpërdorimet. Poashtu përmenda strategjinë e re për për hetime financiare dhe konfiskimin e pasurisë, e cila do të kontribuojë për konfiskimin e aseteve kriminale.
Në fund, shpreha gatishmërinë e qeverisë për bashkëpunim me Kuvendin dhe për përfshirjen e shoqërisë civile në vendimmarje. Në trupin ndër-resorial për koordinimin e aktiviteteve antikorrupsion, tashmë është inkuadruar një përfaqësues i shqoqërisë civile me të drejtë vote.