Sot pata kënaqësinë të mirëpres Ambasadorin e Bullgarisë, Zhelyazko Radukov, me të cilin u pajtuam për rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm dhe të hapur, i cili krijon ura bashkëpunimi dhe është në interes të ndërsjellë, si fqinjë dhe partnerë strategjik në NATO.
E njoftova Ambasadorin Radukov për prioritetet e Qeverisë dhe shpreha përkushtimin e palëkundur për vendosjen e shtetit të drejtës dhe për luftimin e pakompromistë kundër krimit dhe korrupsionit, si parakushte për procesin integrues dhe mirëqenien e qytetarëve.
Theksova rëndësinë e hapjes së negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, duke shtuar se duhet të shfrytëzohet momentumi historik në politikën e zgjerimit te BE-së dhe se Maqedonia e Veriut duhet përparuar në rrugën e integrimit duke zënë hapin me Shqipërinë.
Me Ambasadorin, u pajtuam se Korridori VIII, si korridor i sigurisë së NATO-s, ka rëndësi strategjike dhe ekonomike për të dyja vendet dhe për rajonin. Përfundimi i këtij projekti është prioritet për Qeverinë dhe do të bëhen përpjekje maksimale për të përshpejtuar realizimin e tij.