Policia zbulon një laborator për falsifikim të dokumenteve – gjen mijëra dokumente nga 51 shtete të botës 

news image

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka zbuluar një laborator të sofistikuar për falsifikim të dokumenteve, raporton Gazeta Sinjali. 

Më 24 janar, Policia ndaloi një automjet në Prishtinë, ku gjeti dokumente të zbrazëta të shteteve të ndryshme të botës.“Shoferi me inicialet (F.K.) u arrestua dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh”, thuhet në njoftimin e Policisë. 

Pas hetimeve intensive, Policia zbuloi një shtëpi në Prishtinë që shërbente si laborator i sofistikuar për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, si pasaporta, karta identiteti dhe patentë shoferë. 

“Në bastisje u sekuestruan dëshmi relevante, makina laserike, printerë, mbi 20,000 mikroçipa dhe mijëra dokumente nga 51 shtete të ndryshme të botës”. 

Ky rast po hetohet si “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Krim i organizuar” nga Prokuroria Speciale.