Drejtësia për Enver Hadrin – Një fitore kundër krimit shtetëror serb
Vrasja e aktivistit Enver Hadri në vitin 1990 ishte një atentat politik i organizuar nga shërbimet sekrete serbe, siç vërtetoi Gjykata e Krimeve të Rënda në Bruksel. Autorët e krimit u dënuan me burgim të përjetshëm, duke konfirmuar se drejtësia mund të vonojë, por nuk harron.
Hetimet zbuluan se atentati u planifikua nga agjenti serb Bozhidar Spasiq dhe u ekzekutua nga Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq, të cilët u dënuan në mungesë, pasi regjimi serb u përpoq ta fshehë të vërtetën dhe krimet e tij kundër shqiptarëve.
Ky vendim gjyqësor është një fitore e drejtësisë ndaj një akti kriminal shtetëror, i cili synonte të asgjësonte ajkën intelektuale shqiptare për të shuar rezistencën për liri dhe pavarësi. Drejtësia u arrit falë këmbënguljes së familjes Hadri dhe përkushtimit të institucioneve hetimore belge.
Qeveria e Kosovës ka ndarë 100 mijë euro për të mbuluar shpenzimet e procesit gjyqësor, një akt simbolik për të nderuar sakrificën sublime të atyre që dhanë jetën për atdheun.
Kush ishte Enver Hadri?
Dëshmori Enver Hadri lindi në një familje patriotike në Pejë, më 1944. Në moshën tre vjeçare, pushtuesi serb i vrau babanë, Islam Hadrin. Në moshën 28-vjeçare, ai emigroi në Belgjikë dhe u bë pjesë e organizatës “Rezistenca Kombëtare e Shqiptarëve të Kosovës”.
Në Bruksel, ai themeloi dhe drejtoi Komitetin Shqiptar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, duke u bërë zëri i shqiptarëve të shtypur në Jugosllavi. Përmes gazetës Zëri i Kosovës, ai ndërkombëtarizoi çështjen shqiptare dhe ekspozoi krimet e regjimit serb.
Për aktivitetin e tij në shërbim të Kosovës, shërbimet serbe e ekzekutuan më 25 shkurt 1990 në Bruksel.
Përgëzime familjes Hadri dhe mikës time, vajzës së Enverit, Teuta Hadri, për këtë fitore të madhe të drejtësisë.
Lavdi dhe kujtim i përjetshëm për Enver Hadrin!