“Albin Kurti dhe Guxo drejt një fitoreje të pashmangshme përballë sulmeve të pandershme”
Fituesit e së dielës, pa asnjë dyshim, do të jenë Rugovistët e listës Guxo të Presidentes Vjosa Osmani dhe Lëvizja Vetëvendosje. Po ashtu, është e qartë se Kryeministri Albin Kurti do të vazhdojë të udhëheqë për të paktën edhe dy mandate të tjera, siç kam deklaruar më herët në media dhe në shkrimet e mia.
Arsyeja për këtë është e thjeshtë: kundërshtarët e tij politikë nuk kanë bërë gjë tjetër veçse e kanë sulmuar pa ndalur, shpesh në mënyrë të paarsyeshme dhe të pajustifikueshme. Nuk mund ta kuptojë askush se si një udhëheqës që ka pas vetes gjysmën e Kosovës mund të jetë objekt i një urrejtjeje kaq të madhe dhe të organizuar. Fyerjet dhe përçmimet ndaj tij nuk janë vetëm ndaj një individi, por në njëfarë mënyre edhe ndaj qytetarëve që e mbështesin atë.
Sulmet nga PDK-ja, LDK-ja, si dhe shantazhet e Richard Grenellit – një figurë që dihet se ka pasur interesa të lidhura me Beogradin – vetëm sa e kanë forcuar më shumë pozicionin e Kurtit. Po ashtu, qëndrimet e Edi Ramës ndaj tij dhe kritikat e pafund nga analistë të ndryshëm, të cilët shpesh sillen më shumë si propagandistë se si analistë të pavarur, e kanë ngritur figurën e Kurtit edhe më lart në sytë e qytetarëve.
Kështu, çdo përpjekje për ta denigruar Kurtin ka pasur efektin e kundërt: ai është shndërruar në një simbol të rezistencës dhe përfaqësimit të interesave të qytetarëve, gjë që do të reflektohet edhe në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme.