LDK NË GJUNJË: PENG I TË VJETRËVE, DHE SERVILËVE TË RINJ DHE REFUZIMI NGA POPULLI
Refuzimi nga populli ,i këtyre strukturave aktuale politike të LDK-së u ka treguar qartë se as në komunat e tyre nuk kanë arritur të fitojnë. Kjo do të thotë se ky popull më nuk han bar dhe nuk mund t’i mashtrojnë më ,duke i hedhur hi syve.”
Situata e rëndë në të cilën ndodhet sot Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk është rastësi, por pasojë e drejtpërdrejtë e një lidershipi të dështuar, që për vite ka rrëshqitur nga parimet e saj themeluese dhe është shndërruar në një strukturë të kontrolluar nga interesat e ngushta të individëve që dikur e çuan këtë parti në rrënim.
Dalja nga ky cikël i dështuar duket thuajse e pamundur. Elektorati rugovian, dikur bërthama më besnike e LDK-së, tashmë ka kuptuar se është tradhtuar jo vetëm nga lidershipi i mëparshëm, por edhe nga ai aktual, i cili është vendosur aty me përkrahjen e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit.
Kjo nuk është bërë për ringritjen e partisë apo për interesat e Kosovës, por me një qëllim të qartë: të mbajnë nën kontroll LDK-në dhe të sigurojnë që marrëveshjet e dyshimta të së kaluarës, të cilat mbajnë në vete doza të rënda tradhtie, të mos sfidohen kurrë. Ky grup është i gatshëm të pranojë gjithçka, vetëm që historia të mos i përmendë si tradhtarë.
Mbështetësit e kësaj kaste politike, që më shumë i përngjan një rrethi të mbyllur arpagjikësh, janë shndërruar në servilë dhe oportunistë. Për një post të vogël janë të gatshëm të shesin çdo vlerë, çdo parim dhe çdo interes kombëtar. Nuk është rastësi që elektorati në zgjedhjet e fundit i përbuzi në skajshmëri.
Dështimi i fushatës dhe qasja qesharake ndaj elektoratit
Fushata njëmujore e LDK-së tregoi edhe një herë përçmimin e votuesve rugovistë ndaj kësaj strukture të re, të kapur nga strukturat e vjetra.
Në vend që të ofronin një vizion të ndershëm për të ardhmen, ata u endën me premtime boshe dhe qasje të konsumuar, duke mos arritur të bindin askënd.
Ironikisht, shumë më shumë vota do të kishte fituar Lumir Abdixhiku nëse në vend të një fushate të lodhur dhe të pashpresë, do të organizonte një ekip muzikantësh, ku ai vetë t’i binte surlës, Agim Selmani tupanit dhe Kica Xhelili të vallëzonte, duke shëtitur nga qyteti në qytet dhe nga lagjja në lagje,do të fitonte ma shumë vota se sa çë u lodhë duke gënjyar popullin.
Kjo u pa qartë, pasi në të gjitha komunat tradicionale të LDK-së, Albin Kurti i mori mbi 50% të votave të tyre.
Dhe krejt në fund, Albini e mori furkën, ndërsa Lumiri me Kicën dhe tupangjinë morën leshin.
Pse humbi LDK-ja?
LDK-ja humbi sepse vazhdon të mbetet e kapur nga ata që tradhtuan besimin e rugovistëve dhe e shndërruan këtë parti nga një shtyllë e shtetndërtimit në një parti të dorës së tretë, duke ia dhënë një drejtim të ri, por që populli e pa si të papërshtatshëm për të udhëhequr Kosovën. Populli tashmë është lodhur nga premtimet e thyera dhe po kërkon veprime konkrete, gjë që u reflektua qartë në mbështetjen e madhe për Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin.
Përfundimi është i qartë: LDK ka nevojë për një reformë rrënjësore, për një spastrim nga elementët që e mbajnë peng dhe për një kthim te vlerat e saj të vërteta. Nëse rugovistët e vërtetë nuk ndërhyjnë me urgjencë për ta shpëtuar këtë parti nga kapja e oligarkëve politikë dhe grupet e interesit të lidhura me Prontomafinë, atëherë LDK-ja do të vazhdojë të jetë e parëndësishme dhe e paaftë për të sjellë ndryshim në Kosovë.