Pavarësia Politike e Kosovës: Roli i Deputetëve Shqiptarë dhe Sfida ndaj Ndikimit të Beogradit
Po të ishte gjallë Ibrahim Rugova, ai nuk do ta lejonte LDK-në të bëhej pjesë e asnjë kompromisi që dëmton interesat e Kosovës. Ai do të kundërshtonte çdo përpjekje të Beogradit për të ndikuar në politikën e brendshme të vendit dhe nuk do të lejonte krijimin e Listës Serbe si një instrument i dirigjuar nga Serbia, ashtu siç e lejuan më vonë drejtuesit e LDK-së dhe PDK-së. Rugova gjithmonë mbështeste të drejtat e minoritetit serb në Kosovë, por brenda kornizës së Pakos së Ahtisarit, duke siguruar që ata të kishin pjesëmarrje të drejtë në institucionet e vendit, por jo përtej barazisë me shumicën shqiptare.
Këtë rrezik Rugova e kishte parashikuar që më 8 qershor 1992, në intervistën e tij për revistën gjermane Der Spiegel, ku shprehu kundërshtimin e tij ndaj ndarjes së Kosovës. Ai paralajmëroi se një ndarje e tillë do të linte miliona shqiptarë jashtë mëmëdheut dhe se Serbia do të përpiqej të aneksonte territoret me pasuri natyrore, duke lënë shqiptarët me toka pa vlerë.
Sot, drejtuesit e LDK-së dhe PDK-së kanë tejkaluar madje edhe kufizimet e Pakos së Ahtisarit duke i dhënë Beogradit mundësinë të krijojë një strukturë paralele në Kosovë përmes Listës Serbe.
Kjo ka lejuar që Serbia të mbajë ndikim të drejtpërdrejtë në institucionet e Kosovës, duke vënë në pikëpyetje sovranitetin e saj. Fatkeqësisht, të njëjtët politikanë që e lejuan këtë proces, sot po përpiqen të jenë faktorë në skenën politike, ndërsa Beogradi vazhdon të përdorë Listën Serbe për të kushtëzuar zhvillimet në vend.
Çdo deputet shqiptar që ndjen përgjegjësinë e përfaqësimit të popullit dhe trashëgon frymën e Kastriotit në gjak, duhet të veprojë me vendosmëri për të ndërtuar një qeveri që nuk është e ndikuar nga Beogradi. Populli i ka zgjedhur për të mbrojtur interesat kombëtare, jo për të shërbyer si instrument i faktorëve të jashtëm.
Nëse vërtet synohet çlirimi i plotë i institucioneve të Kosovës nga ndikimi i Beogradit, LDK-ja duhet të marrë vendimin e duhur dhe t’i bashkohet koalicionit qeverisës, duke siguruar një mandat të dytë për Vjosa Osmanin si presidente. Kjo do të ishte një lëvizje e domosdoshme për të penguar ndikimin serb dhe për të forcuar pozitat e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Shtrohet pyetja: cila parti do të ketë guximin t’i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje për t’i thënë “stop” Listës Serbe dhe ndikimit të politikanëve si Hashim Thaçi, Isa Mustafa ?
Lista Serbe duhet të gëzojë vetëm ato të drejta që i garanton Pakoja e Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës—as më shumë, as më pak. Nuk mund të lejohet më që Beogradi të luajë me fatin e Kosovës sa herë që i përshtatet interesave të tij.
Sigurisht, ekziston skepticizmi për qëndrimin e LDK-së, sepse edhe nëse i jep votën Vjosa Osmanit për presidente, mbetet frika se më pas LDK mund të rrëzojë koalicionin. Prandaj, Lëvizja Vetëvendosje duhet të veprojë me vigjilencë, duke siguruar që qeverisja të mos varet plotësisht nga LDK-ja.
Institucionet legjitime të Kosovës duhet të forcojnë pozitat e tyre për ta detyruar Aleksandar Vuçiçin të respektojë marrëveshjet dhe të mos e mbajë Kosovën të bllokuar në proceset integruese evropiane.
Nuk mund të lejohet ,si në të kaluarën, që politikanët e korruptuar që firmosin marrëveshje të dëmshme për vendin, ndërsa Serbia të përfiton nga ndërmjetësues të njëanshëm si në kohën me Lajçak, Borrell dhe Grenell.
Sot, Bashkimi Evropian ka ndryshuar po u kërkon pesë vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë, ndërkohë që shqyrton heqjen e sanksioneve të vendosura ndaj Kosovës—sanksione që ishin rezultat i ndikimit të këtyre ndërmjetësuesve të njëanshëm.
Lëvizja Vetëvendosje duhet ta mbajë mend mirë se qeveria Kurti 1 u rrëzua nga një bashkëpunim i LDK-së me Listën Serbe dhe Beogradin.
Ish-kryeministri i asaj kohe, Avdullah Hoti, u bë pjesë e një aleance të mbështetur nga Grenelli, Lajçaku dhe Borrelli, duke favorizuar interesat serbe. Në atë kohë, Grenelli ishte i entuziazmuar, duke pritur përfitime financiare nga Beogradi, ndërsa Kosova pësoi një tjetër goditje politike.
Sot është koha për të mos lejuar që e njëjta histori të përsëritet. Deputetët shqiptarë duhet të zgjedhin nëse do të jenë në anën e Kosovës apo në anën e atyre që kërkojnë ta mbajnë vendin të varur nga Serbia.