Fetai:Sot hodhëm një hap të rëndësishëm drejt një qeverisjeje më të hapur dhe gjithëpërfshirëse.

Sot hodhëm një hap të rëndësishëm drejt një qeverisjeje më të hapur dhe gjithëpërfshirëse.

Në hapësirat e Qeverisë, rithemeluam Këshillin për Bashkëpunim mes Qeverisë dhe Shoqërisë Civile – një mekanizëm që lidh drejtpërdrejt institucionet shtetërore me qytetarët përmes organizatave të shoqërisë civile. Ky Këshill do të shërbejë si një urë e mirëbesimit dhe bashkëpunimit, ku zëri i qytetarëve është i pranishëm dhe i dëgjuar në procesin e vendimmarrjes.

Ky nuk është vetëm një forum formal, por një angazhim i fuqishëm për vendimmarrje të drejtë, transparente dhe përfaqësuese. Si Qeveri, tanimë kemi ndërmarrë hapa konkretë për përfshirje aktive të shoqërisë civile:

Për herë të parë, me iniciativë të kabinetit tim, një përfaqësues i shoqërisë civile me të drejtë vote është bërë pjesë e Trupit Ndërresor për Luftë kundër Korrupsionit;

Gjithashtu, është hapur thirrja publike për mbështetjen financiare të projekteve të shoqërisë civile për vitin 2025.

E njoh mirë sektorin civil – sfidat që përballen organizatat në terren, betejat për mbështetje, përballjen me burokraci dhe shpeshherë me institucione që nuk të kuptojnë. Por gjithashtu e njoh fuqinë që ka një Qeveri kur dëgjon, bashkëpunon dhe i mbështet zërat që vijnë nga qytetarët.

Dera ime do të mbetet gjithmonë e hapur për Shoqërinë Civile. Jam dhe do të jem një avokat i palëkundur për rritjen e rolit të tyre në vendimmarrje. Bashkë me ta, dua të ndërtojmë një partneritet që nuk varet nga ciklet politike, por nga vlerat e përbashkëta dhe vizioni i përbashkët: një shoqëri më e drejtë, më e barabartë dhe më e përparuar për të gjithë.