VOTA E QYTETARËVE E NDËSHKOJ GJUHËN E ULËT TË OPOZITËS
Vota e qytetarëve ndëshkon gjuhën e ulët të opozitës, dhe kjo do t’u kushtojë edhe në zgjedhjet që po vijnë, nëse opozita nuk ndërron lidershipin. Me këta liderë, nuk u beson më askush.
Zgjedhjet e fundit treguan qartë një mesazh nga qytetari: penalizim për një opozitë që zgjodhi gjuhën fyese në vend të debatit të argumentuar. Sjellja e disa prej liderëve opozitarë jo vetëm që nuk u përshtat me etikën politike, por u perceptua si mungesë serioziteti dhe pjekurie.
Përdorimi i gjuhës banale nga Lumir Abdixhiku ndaj Kryeministrit Kurti, përfshirë shprehje që nuk i takojnë një partie me trashëgiminë e Ibrahim Rugovës – si ajo “Kryeministër, lidhe qenin” – i kushtoi rëndë LDK-së. Kjo retorikë i ngjante më shumë një përplasjeje rrugësh sesa një ballafaqimi politik. Ajo që po theksoj këtu është vetëm një nga shumë fyerjet që tingëllojnë si të thëna nën ndikimin e alkoolit, dhe jo si qëndrime të një lideri politik.
Aq më keq për LDK-në, e cila jo vetëm që e humbi orientimin politik, por doli të jetë edhe më e diskredituar se PDK-ja. U përfol për manipulime me votat e diasporës dhe, në vend se ta ruante trashëgiminë rugoviane, ajo e nëpërkëmbi atë. Veprimet dhe sjelljet e fundit e kanë larguar edhe më shumë nga parimet mbi të cilat ishte themeluar dikur.
Po ashtu, arroganca e PDK-së, sulmet personale të Lushtakut në parlament ndaj kryeministrit, si dhe komentet e papërshtatshme të Ganimete Musliut (“Gonxhja e PDK-së”) – si ajo “Pse po i han qershitë që vet i ke pshurrë” – kanë krijuar një imazh negativ për partinë në sytë e votuesve. Retorika e ulët nuk është tregues force, por mungesë kulture politike.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe Ramush Haradinaj, me akuza të pabaza si “spiun rus” apo “mashtrues”, të cilat nuk mbështeten në fakte dhe kanë prodhuar më shumë neveri sesa përkrahje.
Këto janë vetëm disa nga shembujt e diskursit të ulët që, në vend të rritjes së besimit ndaj opozitës, kanë nxitur qytetarët ta ndëshkojnë me votë. Dhe votuesit janë të qartë: ata e kanë kuptuar se kjo gjuhë destruktive nuk sjell zgjidhje, por ndasi e konfuzion.
Nëse opozita nuk ndryshon qasjen dhe nuk ofron alternativa reale me dinjitet dhe vizion, ajo do të vazhdojë të penalizohet edhe më rëndë në zgjedhjet që po afrohen.