Arben Fetai flet në Konferencën për Siguri në Ballkanin Perëndimor: “Siguria rritet nga besimi, jo nga frika”
Në Shkup po zhvillohet Konferenca Vjetore për Koordinimin e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor me moton “Ballkani Perëndimor – BE: Siguri e Përbashkët, e Ardhme e Përbashkët”.
Në hapjen solemne të saj foli edhe drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Arben Fetai, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe forcimit të institucioneve.
“Diskutuam hapur për sfidat që ndikojnë përtej kufijve dhe prekin çdo qytetar – sigurinë, besimin në institucione dhe të ardhmen tonë evropiane,” tha Fetai, duke shtuar se qeverisja e mirë, lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe bashkëpunimi rajonal janë rruga e vetme drejt një Ballkani Perëndimor më të fortë e më të qëndrueshëm në familjen evropiane.
Ai përfundoi fjalën e tij me mesazhin: “Do të vazhdojmë të punojmë për institucione që u shërbejnë qytetarëve me përgjegjësi dhe integritet, sepse siguria nuk lind nga frika – ajo rritet nga besimi.”