Sherif (Ramë) Rashica, familja që e hapi shtëpinë për shkollën shqipe në kohën e okupimit

Sherif (Ramë) Rashica, familja që e hapi shtëpinë për shkollën shqipe në kohën e okupimit

Në hyrje të qytetit të Vushtrrisë, në rrugën që të çon drejt fshatit Begaj, afër urës së Hotiqve, ndodhet shtëpia e familjes së Sherif (Ramë) Rashicës, e cila gjatë viteve të ’90-ta u vu në shërbim të arsimit shqip.

E vendosur në rrugën “Bekim Berisha – Abeja”, nr. 79, kjo shtëpi ka një histori të veçantë të qëndresës dhe përkushtimit ndaj shkollimit të gjeneratave të reja, në një periudhë kur shkollat shqipe ishin mbyllur nga pushteti serb dhe mësimi zhvillohej nëpër shtëpi private, me sakrifica dhe rreziqe të mëdha.

Meqenëse pronari i shtëpisë, Sherif Rashica, tashmë kishte ndërruar jetë, për kontributin e familjes dhe historinë e kësaj shtëpie ka rrëfyer djali i tij, Fetahu, i cili si përfaqësues i familjes dhe trashëgimtar pranoi të flasë për rëndësinë e këtij angazhimi.

Sipas rrëfimit të tij, në atë kohë situata në Kosovë ishte shumë e rënduar dhe kërkohej mobilizim i përgjithshëm i popullatës për të mos e ndërprerë procesin mësimor. Kjo ishte një kërkesë e qartë edhe nga Ministria e Arsimit dhe Kuvendi Komunal i Vushtrrisë.

Familja Rashica e kishte konsideruar këtë si obligim moral dhe kombëtar, pavarësisht rreziqeve që mund t’i kanoseshin nga policia serbe dhe pushteti i instaluar në Kosovë.

“Ne e konsideruam si një obligim moral dhe kombëtar përballë rreziqeve që na kanoseshin nga policia barbare serbe dhe pushteti i instaluar në Kosovë. Lëshimi i shtëpisë për shkollë ishte një formë rezistence për të mbrojtur arsimin shqip”, është shprehur Fetahu, djali i Sherif Rashicës.

Historia e kësaj familjeje dëshmon se qëndresa për arsimin shqip nuk u bë vetëm nga mësimdhënësit dhe nxënësit, por edhe nga familjet që hapën dyert e shtëpive të tyre, duke vënë në shërbim të shkollës hapësirën familjare dhe duke u përballur me rreziqet e kohës.

Shtëpia e familjes Rashica mbetet një dëshmi e solidaritetit dhe sakrificës së qytetarëve të Vushtrrisë për ta mbajtur gjallë arsimin shqip në vitet më të vështira të historisë sonë të afërt.

Burimi: Të dhënat për këtë shkrim janë marrë nga libri “Përballja e arsimit në Vushtrri me dhunën gjatë viteve të okupimit 1990–2000”, me autorë prof. Jakup Krasniqi dhe inxh. Beqir Xhema.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *