Vrasja e policit në Serbi – autoritetet në kërkim të sulmuesit, në vend të ngjarjes gjendet pasaporta e një kosovari

Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Brendshëm, Ivica Daçiq, ka thënë se një zyrtar policor është vrarë në qytetin perëndimor Loznicë në orët e para të së enjtes, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë.

Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajzirit, dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi, shkruan REL.

Sipas saj, policia është në kërkim të sulmuesit.

Sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Brendshme, Daçiq ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 00:55, kur zyrtarët policorë, teksa kanë qenë duke kontrolluar makinat në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor, e kanë ndaluar një makinë të llojit Mercedes, me targa të Tutinit të Serbisë, në të cilën kanë qenë dy persona.