TRUMPI URDHËRON HETIME NDAJ RICHARD GRENELLIT, ISH-EMISARIT PËR DIALOGUN KOSOVË-SERBI

TRUMPI URDHËRON HETIME NDAJ RICHARD GRENELLIT, ISH-EMISARIT PËR DIALOGUN KOSOVË-SERBI

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka urdhëruar nisjen e hetimeve ndaj Richard Grenellit, një prej ish-aleatëve të tij të afërt, pas pretendimeve për një skemë të mundshme të pagesave për ndikim në administratën amerikane.

Sipas raportimit të mediumit amerikan Axios, në qendër të çështjes është një mesazh i pretenduar i Grenellit, i dërguar në maj të vitit të kaluar biznesmenit turk Turhan Mildon. Në këtë mesazh, Grenell dyshohet se i ka kërkuar transferimin e rreth 17 milionë dollarëve te kompania “Texas Armament & Technology”, me premtimin se një pjesë e mjeteve do të shkonte për Kennedy Center.

Sipas pretendimeve të publikuara, në këmbim biznesmenit do t’i mundësohej pjesëmarrja në ngjarje VIP dhe afërsi me administratën amerikane, përfshirë edhe presidentin Trump.

Grenell i ka mohuar këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta. Ndërkohë, avokatja Alina Habba, bashkëshortja e biznesmenit Mildon, ka deklaruar se Kennedy Center nuk e ka pranuar kurrë donacionin e pretenduar.

Sipas Axios dhe The New York Times, Habba e ka diskutuar çështjen me Trumpin, pas së cilës presidenti amerikan ka urdhëruar nisjen e hetimeve.

Grenell nuk është emër i panjohur për Kosovën. Ai shërbeu si emisar special i Donald Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi gjatë viteve 2019–2021, periudhë në të cilën ishte një nga figurat më të përfshira të administratës amerikane në zhvillimet politike mes Prishtinës dhe Beogradit.

Çështja mbetet për t’u sqaruar përmes hetimeve, ndërsa pretendimet ndaj Grenellit deri më tani janë mohuar nga vetë ai.

📌 INSAJDERI – Lajmet që bëjnë jehonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *