Sezoni i gjuetisë për vitin 2026–2027 do të hapet më 25 tetor në Kosovë. Kjo është bërë e ditur përmes një vendimi të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, i nënshkruar nga ministri Armend Muja.
Sipas vendimit, sezoni i gjuetisë do të jetë i hapur për llojet e caktuara të kafshëve të egra, ndërsa aktivitetet do të zhvillohen në vendgjuetitë që i kanë të miratuara planet vjetore të menaxhimit për sezonin 2026–2027.
Në listën e publikuar janë përfshirë 26 vendgjueti në 19 komuna të Kosovës, raporton Telegrafi.

Në cilat vende do të lejohet gjuetia?
Sipas listës së bashkëngjitur vendimit, gjuetia do të lejohet në këto vendgjueti:
- Fushë Kosovë: Bjeshka
- Suharekë: Gallusha
- Pejë: Duboçaku, Podguri
- Lipjan: Lipjani Lindje, Lipjan Perëndim
- Gjilan: Maja e Gjelbër, Karadaku, Zhegoci
- Graçanicë: Graçanica
- Dragash: Sharri-Sar
- Ferizaj: Ferizaj
- Mitrovicë e Jugut: Shala
- Obiliq: Qiqavica
- Hani i Elezit: Kroni i Ftoftë
- Deçan: Lojza
- Shtërpcë: Canus Lupus
- Vushtrri: Shala, Qyqavica
- Kaçanik: Lybeteni
- Istog: Mokna
- Prishtinë: Prishtina I, Prishtina II, Prishtina III
- Skenderaj: Drenica
- Ranillug: Kriva Reka

Gjuetia vetëm në përputhje me ligjin
Vendimi përcakton se gjuetia duhet të zhvillohet në përputhje me Ligjin për Gjuetinë dhe aktet e tjera ligjore në fuqi, duke respektuar kalendarin e gjuetisë për secilin lloj të kafshëve të egra, shkruan Telegrafi.
Po ashtu, në vendim theksohet se gjuetia mund të organizohet vetëm nga menaxherët e vendgjuetive që kanë të hartuara dhe të miratuara planet përkatëse të menaxhimit.
Pjesëmarrja në gjueti do të lejohet vetëm për gjuetarët që i plotësojnë kushtet ligjore, përfshirë provimin për gjuetarë dhe lejen përkatëse nga menaxheri i vendgjuetisë.
Menaxherët obligohen gjithashtu të evidentojnë dhe raportojnë çdo kafshë të gjahut të vrarë, si dhe dyshimet për sëmundje eventuale te kafshët e egra.
Sipas vendimit, aktivitetet e gjuetisë organizohen vetëm gjatë ditëve të lejuara me ligj, ndërsa ndalohet çdo veprim që bie ndesh me dispozitat ligjore për mbrojtjen dhe menaxhimin e faunës së egër, shkruan telegrafi.
Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit dhe parasheh mbikëqyrjen e zbatimit nga organet kompetente të Ministrisë së Bujqësisë, përkatësisht Departamenti Qendror i Inspekcionit për Pylltari dhe Gjueti, në bashkëpunim me institucionet përkatëse.
